Gjiknuri e Denaj, takim me banorët në Ksamil: Vota për numrin 12 është votë për gjithë ekipin

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Ksamili ishte ndalesa e radhës e drejtuesit politik të Partisë Socialiste për qarkun e Vlorës, Damian Gjiknuri, ndërsa prezantoi kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit.

Gjiknuri gjeti rastin të sqarojë rëndësinë e votës për subjektin politik, duke mos u shpërqendruar në numrat e tjerë personalë të kandidatëve.

“Nuk është çështje gare individësh, pasi ne konkurrojmë si një ekip. Edhe Anila është e dalë si deputete, edhe Niko është i dalë, edhe unë me Edi Ramën që jemi pak më në fund, jemi të dalë. Ne na duhet ekipi, sepse garancia është ekipi, jo vota për një njeri. Unë ju bëj thirrje që të gjitha votat numrit 12, Partisë Socialiste. Numri 12 për Partinë Socialiste është votë edhe për Anilën, edhe për Damianin, edhe për Nikon, por mbi të gjitha edhe për Edi Ramën”, sqaroi Gjiknuri.

Më tej, ai kërkoi mbështetje masive në 25 prill, si garanci për të ardhmen e dëshiruar për të gjithë banorët e Ksamilit.

“Dua t’ju bëj thirrje të gjithëve që ta mbështesni këtë ekip pasi është ekipi i garancisë për të ardhmen tuaj. Është ekipi që po e transformon të gjithë qarkun e Vlorës, përfshirë edhe Sarandën. Kjo votë është dhe mesazh reflektimi për ne. Ne nuk jemi të përkryer, të gjithë bëjmë gabime, edhe Kryeministri mund të ketë bërë gabime apo unë më shumë gabime. Mund të kemi gabuar me ndonjë promovim, apo mund të ketë funksione në administratë që duhen përmirësuar, por ne të paktën jemi të ndërgjegjshëm, dëgjojmë me veshë e flasim një herë, dëgjojmë dy herë, me qëllim që votën tuaj ta përkthejmë siç duhet”, theksoi Gjiknuri.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, njëkohësisht kandidate për deputete, paralajmëroi bllokimin e projekteve të zhvillimit në rast të një rotacioni pushteti.

“Damiani përmendi rrugën Kardhiq-Delvinë. Ajo është një rrugë e nisur me projeksionet e tij si ministër dhe e përfunduar nga unë si ekonomi, ku buxhetet janë të mbyllura dhe nuk i prek kush. Por ama, nëse ndodh, sepse nuk ka për të ndodhur, le ta imagjinojmë për një moment se si këto buxhete do të rialokoheshin e do merrnin rrugë të tjera. Jo, këto buxhete i takojnë rrugës Kardhiq-Delvinë dhe ajo mbaron brenda afatit. Çfarë ka ndodhur tjetër? Ju keni dëgjuar Kryeministrin Rama, dhe ai kur flet e bën. Ka përmendur aeroportin e Sarandës dhe ne kemi nisur punën për aeroportin. Një punë që do kohën e saj, por rëndësi ka që ka nisur. Ai aeroport do të sjellë shumë më shumë turistë që do të konsumojnë shijen dhe bukurinë e Ksamilit dhe jo vetëm”, u shpreh Denaj.

Denaj u bëri thirrje të gjithë socialistëve që të lënë mënjanë edhe qejfmbetjet që natyrshëm krijohen pas 8 viteve qeverisje dhe të votojnë numrin 12 dhe siglën e Partisë Socialiste.

“Në 25 prill ne nuk duhet të hezitojmë edhe sikur të kemi qejfmbetje. Nuk ka asnjë njeri pa qejfmbetje në 8 vite, as në shtëpi ku me njëri-tjetrin dhe mërzitemi, jo më me punë kaq të mëdhaja. Por a duhet një socialist ta mendojë dy herë datën 25 prill dhe të ja lejojë kundërshtarit që nuk ka bërë asgjë, madje edhe kur flet thotë gjëra të mëdha dhe asgjë konkrete? Jo! Në datë 25 prill çdo socialist nuk do ta mendojë dy herë numrin 12 dhe Partinë Socialiste”, deklaroi Denaj. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.