Gati impianti ultramodern i përpunimit të mbetjeve në Fier/ Mbyll të tjera plagë mjedisore kancerogjene si fushat e plehrave që digjen në natyrë


TIRANË, 4 prill/ATSH-Maela Marini/ Në Fier është tashmë gati impianti ultramodern i përpunimit të mbetjeve, që do të mbyllë të tjera plagë mjedisore kancerogjene, fushat e plehrave që digjen në natyrë në qarkun e Fierit.

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot impiantin e përpunimit të mbetjeve në Fier, ku u njoh nga afër me teknologjinë e përdorur.

Rama vlerësoi se “ky është transformim i madh teknologjik dhe çlirim i madh mjedisor”.

“Për fat të keq ka pasur shumë keqkuptime, shumë lajme të rreme, shumë abuzime, shumë baltë, si për të gjitha punët e mira që bëhen në Shqipëri ka qenë ky lloj zakoni, por besoj se tani vepra flet vetë”, tha Rama.

Ashtu sikurse, Kryeministri tha se “flasin vetë edhe realitetet në Tiranë dhe në Elbasan, dhe Durrësi po shpëton pikërisht si rezultat i kësaj ndërhyrjeje”.

“Favoret e kësaj teknologjie në raport me landfillet janë të mëdha, sepse landfilli ka vetëm depozitimin dhe ka ezaurim, kështu që është vetëm zgjerohu, zgjerohu, kurse kjo nuk merr hapësirë toke, natyre dhe përkundrazi e transformon natyrën”, tha Rama.

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi tha se “ndërkohë është mbyllur fusha ekzistuese e mbetjeve, një gangrenë tjetër dhe sa të jetë impianti gati do të fillojmë t’i sjellim këtu mbetjet”.

“Jemi duke bërë një investim tani për të bërë një stacion të transferimit dhe për të blerë dy kontejnerë të mëdhenj në formë trajlerash që të ulim edhe koston e transportit”, tha ai.

Ndërkohë, në fund të muajit prill Impianti i Përpunimit të Mbetjeve në Fier vihet në funksion 100 % në procesin e vet.

Aktualisht po kryhet kolaudimi i pajisjeve specifike. Impianti është një kryevepër inxhinierike e 3 viteve të fundit, me një kapacitet pritës prej 250-280 tonë mbetje në 24 orë.

Në fund të procesit tymrat dalin me ndotje thuajse 0. Nga 10 që janë standardet europiane, ndotja nga impianti është 0,2.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.