Dita e 8-të e vaksinimit masiv antikovid në Fier/ Mbi 16 mijë vaksinime nga nisja e procesit


TIRANË, 4 prill/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama ishte sot në Fier, ku vijon vaksinimi masiv në ditën e 8-të në qendrat e qyteteve e gjithashtu në qendrat shëndetësore në fshatra, afër vendbanimit për gjyshet dhe gjyshërit më të moshuar.

I shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, Kryeministri Rama ndoqi nga afër procesin e vaksinimit në qendrën e ngritur në sheshin e qytetit.

“Në Fier ka nisur vaksinimi në qendrën e përqendruar të vaksinimit, është hapur ditën e djeshme. Në Fier kemi kaluar 16 mijë vaksinime, ndërkohë që vijohet me Policinë e Shtetit sot dhe gazetarët e terrenit”, tha Manastirliu.

Ajo theksoi se “po përgatitemi të ulim fashën për të moshuarit”.

“Janë mbi 125 të moshuar të vaksinuar deri tani në Fier. Për gjithë fshatrat dhe zonat e thella në ambulanca kemi bërë distribucion 100 % të vaksinave edhe me ‘Sputnik’ dhe vijojmë me ‘Sinovac’. Presim që javën që vjen të kemi sërish vaksina të ‘Pfizer’ dhe gjithashtu edhe serinë e ardhshme të ‘Sinovac’ që brenda javës që vjen pritet të vijë duke hapur kështu fashën mbi 65 vjeç, ndoshta edhe plus 60 vjeç për të sëmurët kronikë”, tha Manastirliu. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.