Bushati: Në programin e Partisë Demokratike sportistët janë në qendër të vëmendjes

TIRANË, 4 prill/ATSH/ Sportistë të qytetit të Shkodrës zhvilluan një takim me drejtuesin politik të Partisë Demokratike për qarkun, Helidon Bushati së bashku me koordinatorin kombëtar të PD për sportin Andi Lilën.

Problematikat e këtyre sportistëve janë të mëdha, duke nisur që nga pensioni i veçantë për sportistët elitarë, statusi i sportistit, ligji për sponsorizimet në sport, sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Ndërkohë, vëmendje duhet t’i kushtohet edhe ekipit të femrave, një vlerë kjo e qytetit të Shkodrës dhe jo vetëm.

Koordinatori Andi Lila u shpreh se në takimet me kreun Lulzim Basha gjithmonë është diskutuar në lidhje me sportin në Shkodër, si një qytet i cili meriton vëmendjen e duhur.

Helidon Bushati u angazhua se sportistët e qytetit do të kenë një vëmendje dhe zgjidhje të problematikave pas datës 25 prill dhe se këta të fundit janë në qendër të vëmendjes.

“Zotohem këtu para të gjithëve dhe do ta them këtë fjali gjithandej se sporti nuk është për politikë, nuk është për premtime elektorale. Sporti do ndryshim, por ama nëse sporti do të vazhdojë me këto ritme, do të kthehet në boomerang. Unë këtë kam diskutuar edhe me kryetarin Basha”, u shpreh Lila.

“Partia Demokratike ka organizuar takime me sportistët për të dëgjuar problematikat e tyre dhe të kemi një paketë stimuluese për sportin të cilën ta implementojmë pas 25 prillit me qeverisjen e Partisë Demokratike”, u shpreh Bushati. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.