Nga Reforma në Drejtësi, te Skavica/ Rama: PS nuk e ka mbyllur ciklin, mandati i tretë për të çuar deri në fund punët e nisura

TIRANË, 3 prill/ATSH/ “Mandati i tretë ka të bëjë me atë që duhet të vazhdojmë të bëjmë”, tha sot Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste në medie.

I pyetur se mbi ç’baza po kërkonte një mandat të tretë, i cili do të ishte historik, pasi nuk ishte arritur as nga dy paraardhësit e tij, Fatos Nano dhe Sali Berisha, Rama tha se, “dy rastet e mëparshme janë të ndryshme, por sidoqoftë në dy rastet e mëparshme, ka qenë fundi i një cikli, ndërkohë që PS dhe skuadra jonë nuk e ka mbyllur ciklin”.

Sipas Kryeministrit, është një cikël i hapur dhe në çdo drejtim ne kemi punë që duhen çuar para dhe duhen kryer.

“Që nga Reforma në Drejtësi dhe domosdoshmëria për të konsoliduar pozicionin e drejtësisë së re që është në rrezik nëse ndërron drejtimi, tek turizmi, ku ne tani kemi mundësinë të hyjmë në një epokë të re me investime të mëdha, në radhë të parë me investimin e madh të portit turistik të Durrësit, por edhe të Vlorës, që janë dy investime që tanimë janë në fazën e zbatimit”, shtoi Rama.

Me aeroportet e reja, vijoi ai, ndërsa informoi se aeroporti i Kukësit për pak ditë do të jetë i realizuar dhe do të bëhet ulja e avionit nga Britania e Madhe e një grupi sharësish të zellshëm që e kanë përqeshur pafund atë përsëritjen time mbi këtë aeroport.

“Aeroporti i Vlorës pati një bllokim të gjatë për shkak të pandemisë dhe faktit që kompanitë u tërhoqën nga gara, më në fund tani kemi një fitues, Behgjet Pacollin së bashku me një konsorcium të një kompanie të mirënjohur turke. Jemi në fazën e fundit të negociatave sipas ligjit dhe të nënshkrimit të kontratës”, tha Rama.

Menjëherë me nënshkrimin e kontratës të aeroportit të Vlorës, tha Rama, do të lançojmë aeroportin e Sarandës.

“Ndërkohë që në aeroportin e Tiranës, falë marrjes në zotërim të tij nga kompania shqiptare tanimë do të nisë zbatimi i investimeve për pistën edhe për terminalin e ri. Ne kur sollëm vaksinat, plani ishte t’i sillnim me një avion të madh ushtarak, nuk mundëm, sepse pista nuk na e lejonte këtë gjë. Pista e Rinasit nuk ka kapacitet për avionë të një kategorie të caktuar, ndërkohë “Air Albanian” duam ta çojmë në fluturimet përtej oqeanit dhe për këtë po ashtu na duhet zgjatja e pistës, nuk kemi arritur dot me kompaninë kineze, ishin komplet në botë tjetër”, theksoi Kryeministri.

Po kështu në fushën e energjisë, tha Rama, jemi në fazën ku kemi konsoliduar sektorin, tani kemi dy investime madhore me amerikanët, në Skavicë tjetrin në TEC-in e Vlorës për gazin e lëngshëm.

“Janë investime që e fusin Shqipërinë në një kategori tjetër, se Shqipëria kthehet në eksportues neto të energjisë dhe të gjithë ato para që ne i harxhojmë për të importuar energji nuk do të jenë më para që do të harxhohen, por do të mbeten këtu në ekonomi”, deklaroi Kryeministri.

Janë të gjitha arsyet, tha ai, që e bëjnë mandatin e tretë të domosdoshëm, jo për mua personalisht, po për Shqipërinë, për të çuar deri në fund këto punë që kemi nisur dhe për ta çuar Shqipërinë në një nivel tjetër që të jetë në një pozicion që nuk mund të kthehet më pas dhe këto punë nuk mund të zhbëhen më, siç janë bërë në faza të ndryshme të historisë së tranzicionit, por jo vetëm.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.