Kontrata parazgjedhore noterizon pengmarrjen e Lulit nga Monika për llogari të Ilirit dhe Saliut/ Rezultati i PS më i lartë se i 2017

TIRANË, 3 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka përjashtuar mundësinë e një koalicioni qeverisës me Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe me Tom Doshin.

Rama tha se Partia Socialiste nuk do ketë nevojë të kërkojë ndihmë për të formuar qeverinë, sepse PS do të marrë një rezultat që nuk do të jetë asesi më i ulët sesa rezultati që mori në 2017-ën.

“Ata kanë bërë një kontratë parazgjedhore dhe pastaj janë futur në zgjedhje veç e veç. Kjo është e pandodhur, është diçka shumë domethënëse. Kontrata e tyre parazgjedhore është në fakt një kontratë që noterizon pengmarrjen e Lulit nga Monika për llogari të Ilirit dhe të Saliut. Iliri dhe Saliu duan me çdo kusht që të garantohen që Luli nuk ju del nga duart. Monika është garantja e kësaj nevoje përmes një kontrate, e cila ka edhe një pjesë të fshehtë. Në pjesën e fshehtë janë ndarë edhe detyrat dhe kapja prej fyti e Lulit është bërë shumë e strukturuar. Por thënë kjo, Partia Socialiste nuk do ketë nevojë të kërkojë ndihmë për të formuar qeverinë, sepse PS do të marrë një rezultat që nuk do të jetë asesi më i ulët sesa rezultati që mori në 2017-ën”, tha Rama.

Madje, shtoi ai, do të jetë më i lartë se rezultati që mori në 2017-ën, nuk ka asnjë mundësi që Partia Socialiste të bjerë nën numrin e nevojshëm për të formuar qeverinë, sepse nuk ka ku bie.

“Janë numra, nuk është çështje opinionesh dhe ky është një spekulim. Natyrisht që po, do të ishte shumë e rëndësishme dhe unë do të bëj gjithë përpjekjet e mia që klima e marrëdhënieve mes palëve të ndryshojë, sepse nuk mund të vazhdohet kështu”, tha Rama.

I pyetur se nëse do të duhej, do të anonit më shumë nga PD apo LSI, Rama tha se kjo është një pyetje që unë nuk besoj se ka dyshim, “Me LSI-në asnjëherë, në asnjë rast, për asnjë arsye”.

Pyetjes se nëse do i duhej ndihmë për një mandat për të plotësuar, a do të ishte Tom Doshi një aleat në atë rast, Rama tha jo.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.