Të dhënat e revistës shkencore “Our World in Data”/ Shqipëria, në nivelin e vaksinimit të BE-së

TIRANË, 2  prill /ATSH – I. Vata/ Fushata kombëtare e vaksinimit masiv antikovid në Shqipëri është në të njëjtat nivele me fushatën e vaksinimit në Bashkimin Europian.

Sipas të dhënave të revistës shkencore online, Our World in Data, Shqipëria është vetëm 0.04 pikë larg shifrave të BE-së dhe 0.02 pikë larg atyre të Gjermanisë.

Më konkretisht, në Shqipëri administrohen 0.32 doza për 100 banorë. Gjermania është në kuotën 0.34 doza për 100 banorë. Ndërkaq, vendet e unionit janë në 0.36 doza për 100 banorë.

Deri përpara fillimit të vaksinimit masiv, Shqipëria ka qenë në shifra të ulëta, me 0.11 doza për 100 banorë. Por, me ardhjen e vaksinave kineze të Sinovac dhe fillimin e procesit për personat mbi 70 vjeç, vendi ynë ka trefishuar shifrën brenda javës duke shkuar në nivele europiane.

Progresioni rritës gjatë shtatë ditëve të fundit është me rreth 0.05 doza për 100 banorë çdo ditë.

Nëse ruhet ky trend së bashku me atë të javëve të fundit të BE-së apo edhe Gjermanisë të marrë më vete, Shqipëria pritet të ketë një fushatë më të suksesshme vaksinimi se Europa në javën e ardhshme.

Mbi 150 mijë vaksinime janë kryer në tërësi në Shqipëri. Procesi është përmbyllur për personelin shëndetësor. Ndërkohë pritet të përmbyllet edhe për arsimtarët dhe personat mbi 70 vjeç, në marrjen e dozës së parë.

Kategoritë e tjera do të vaksinohen sipas prioriteteve. Rreth 20 mijë vaksinime ditore kryhen në gjithë vendin, në qendra e përqendruara të vaksinimit si dhe nëqendar shëndetësore në gjithë vendin. Tirana ka pjesën më të madhe të vaksinimeve, pasi ka edhe popullsi më të lartë.

Me kontraktimin e 2.2 milionë dozave të tjera, procesi i vaksinimit masiv do të vazhdojë pa ndalim, ndërda autoritetet kanë si objektiv vaksinimin e 500 mijë personave deri në fund të majit. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.