Vijon vaksinimi i të moshuarve/ Rama dhe Manastirliu në Rrogozhinë: Mbi 15 mijë kërkesa për vaksinim në e-Albania


TIRANË, 1 prill/ATSH/ Fushata e vaksinimit ka nisur prej ditësh dhe krahas mjekut të familjes, për të lehtësuar regjistrimin e qytetarëve është vendosur tashmë edhe portali e-Albania.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri të ditur sot, nga Rrogozhina ku Kryeministri Edi Rama ndoqi procesin e vaksinimit, se tek e-Albania, deri më tani janë regjistruar mbi 15 mijë kërkesa për vaksinim.

“Mjekët e familjes po bëjnë një punë shumë të mirë. Por për të gjithë ata që nuk janë kontaktuar ende funksionon portali e-Albania ku janë regjistruar më shumë se 15 mijë kërkesa për vaksinim, të cilave po u kthehet përgjigje për vijimin e procesit,” – deklaroi ministrja Manastirliu.

Edhe në Rrogozhinë, vaksinimi ka nisur prej ditësh. Pasi është mbyllur vaksinimi i personelit shëndetësor dhe mësuesve, po vijohet vaksinimi me grupmoshat 70+. Sot janë planifikuar të vaksinohen mbi 200 të moshuar.

Ministrja Manastirliu siguroi se procesi i vaksinimit “tashmë e ka marrë rrugën e vet dhe nuk do të ndalet”.

Kryeministri Rama takoi disa nga të moshuarit që po kryenin vaksinimin, të cilët e falenderuan për kryerjen e vaksinave. /k.s/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.