“Sezoni turistik më i lehtësuar nga vaksinimi masiv”/ PD kërkon të vijë dhe të ndalojë të gjitha punët

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, “ndërkohë që e shohim horizontin e sezonit turistik, që falë vaksinimit, do të jetë shumë më i lehtësuar, PD kërkon që të vijë dhe ndalojë të gjitha punët”.

Duke folur në një takim me fermerët në Rrogozhinë, Rama u shpreh se, “ndërkohë që ne jemi në mes të kësaj finaleje, dhe ndërkohë që ne e shohim tani dritën atje, e shikojmë horizontin e sezonit turistik, që falë vaksinimit, vaksinimit, vaskinimit, do të jetë shumë më i lehtësuar dhe kjo do të sjellë shumë më tepër turistë sesa vitin e shkuar, kjo do të sjellë shumë më tepër punë, do të sjellë shumë më tepër lekë, do të sjellë shumë më tepër ekonomi, ne tani duhet të kthehemi mbrapsht e të shkojmë pas berihait e këtu të mos vijnë as vaksina. Këtu të fillojë prapë historia nga e para me rrumpallë dhe me infektim dhe me njerëz që nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë të drejtosh një vend, që nuk kanë idenë se çfarë do të thotë të rrish pa gjumë, për t’i ndenjur njerëzve pranë, që nuk e kanë idenë se çfarë do të thotë të bredhësh gjithë botën të trokasësh dyerve edhe t’i ulesh në gjunjë të tjerëve t’u thuash kemi nevojë”.

“Që nuk dinë sesi bëhen as miqësitë, as partneritetet, po rrijnë bëjnë vetëm dëngla Europa, Europa, Europa, Europa dhe ndërkohë gjithçka që bëjnë është kundër Europës. Europës që është këtu, që duam ta ndërtojmë këtu. Se ne nuk e duam Europën që të ikim në Europë , të marrim Shqipërinë ta çojmë në Europë. Ne duam që Europën ta sjellim këtu. Që Shqipëria të bëhet Europë, në çdo sektor, në çdo drejtim”, tha Rama.

“E si bëhet? Me llafe? Apo sa hap e mbyll sytë? Apo me ato recetat magjike? Do ulim sigurimet shoqërore, do rrisim pensionet. Domethënë do ulim prodhimin e qumështit, do rrisim prodhimin e djathit. Dini ju si bëhet kjo? A e dini ju se ju jeni fermerë? A keni ju ndonjë formule sesi bëhet kjo, që të prodhosh më pak qumësht dhe të prodhosh më shumë djathë? Me çfarë? Me allçi, me niseshte, me ujë? Apo me ujë të hollë? E pra kështu, këta janë këta. Nuk duhet të biem në këtë kurth”, u shpreh Rama.

“Ashtu sikundër çfarë mendoni ju? Kanë çuar në Vlorë. Atje në Vlorë, në vend që të shkojnë t’iu kërkojnë njerëzve votën, ulen dhe shkruajnë kallëzime për gjithë punët publike që bëhen në Vlorë. Ja këtë duan të bëjnë këta në gjithë Shqipërinë, të ndalojnë të gjithë punët. Të thonë prit njëherë se do fillojmë nga e para. Të ndalojnë rindërtimin, prit se do ta shohim. Të ndalojnë vaksinimin”, tha Rama.

“Se nuk  është se ne nuk i njohim. Nuk e njihni ju Fatmir Mediun? Dash Shehin nuk e njihni ju që edhe në televizor kur e shef të zë rakia duke parë televizor edhe të duken ato sustat e telekomandës si fara ulliri? Shpëtim Idrizin nuk e njihni ju? A e njihni Shpëtim Idrizin? Tymin e doganës. Mesilën e njihni ju? Atë që do varte protestues tek palma. Vangjel Dulen e njihni? Po Nard Ndokën sigurisht që e njihni? Se Nard Ndokën kush nuk e njeh. Me këta do bëhet rindërtimi? Me këta do bëhet vaksinimi? Apo me Gridaren këtu? Që e keni dhe në këtë zonë Gridaren. Kur thonë që jo shiko se. Çfarë të shikojmë? Vetëm bërtet, vetëm shan. Dhe për çfarë?”, theksoi Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.