Nëse doni që të ndërpritet vaksinimi, shkoni votoni ata

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama u shpreh se “nëse sot ne jemi, në këto kushte kur po vaksinojmë masivisht është një privilegj i madh. Është privilegji më i madh i gjithë jetës time politike, kur shikoj në qendrat ku bëhet vaksinimi, fytyrat e çliruara të gjyshërve dhe gjysheve. Të lehtësuar nga një ankth i tmerrshëm që i ka mbyllur brenda dhe i ka ndarë nga njerëzit për të mbrojtur jetën e tyre”.

Gjatë takimit që zhvilloi sot me fermerë në Rrogozhinë, Rama tha se “kjo nuk është bërë se erdhën vaksinat nga qielli. Kjo është bërë me shumë këmbëngulje dhe punë, duke shkuar dhe duke lypur derë më derë, për të çarë edhe atë rrethim që na u bë nga BE, që e la komplet Ballkanin jashtë dhe nuk na dhanë një dozë vaksine në momentin e parë. Por përballë kësaj situate, si do të thoja unë, nuk kemi çfarë të bëjmë. Ndërsa sot janë vende të tjera rreth nesh që e kanë filluar vaksinimin me doza simbolike”.

Por si mundet t’i besosh për një moment, vijoj Rama, që fati dhe e ardhmja e këtij vendi e ardhmja e çdo familje, për të gjitha ato që kanë të bëjnë me shtetin, t’i besohet një njeriu që është vënë aty si kukull. Një kukull që qesh, që këndon këngët që ia mësojnë përmendësh, që gënjen dhe ndërkohë një kukull që nuk thotë as një fjalë, kur nga ana tjetër ai që e kurdis, Saliu del dhe bën thirrje për mos bërjen e vaksinës. Bën thirrje duke u thënë njerëzve se vaksina të vdesë. Duke u thënë njerëzve se vaksina janë të skaduara, se vaksinat janë të ndaluara atje ku janë prodhuar. Se vaksinat i vdesin 60-vjeçarët e sipër dhe ky tjetri nuk thotë një fjalë.

“Sikur të dilte njëri nga skuadra jonë e të thoshte këto, dilte jashtë ikte. Nuk qëndronte dot me ne. Po edhe sikur të thoshte diçka sado të dyshimtë për këtë betejë, për këtë armë, që është arma e vetme që ka njerëzimi sot në dorë për ta mundur përfundimisht armikun e padukshëm. Dhe unë të rrija pa folur, të bëja sikur nuk dëgjoja, dhe të thoja hajde se nuk ka problem”, – u shpreh Kryeministri.

Por ka një gjë, tha ai, që duhet ta keni të qartë, nëse doni që të ndërpritet vaksinimi shkoni e votoni ata.

“Saliu thotë që vaksina të vdes, ai doktori tjetër Peço Vasili, nuk ka lënë ditë pa thënë të kundërtën e asaj që duhet t’ju thotë njerëzve për ti qetësuar dhe inkurajuar njerëzit në këtë luftë dhe për t’i mbështetur ata. Përkundrazi gjithë kohës vetëm zi, duke futur pasiguri e ankth në shpirtin e njerëzve të zakonshëm që kanë nevojë për mbështetje”, – tha Rama.

Kryeministri theksoi se, “vaksinimi do të lehtësojë jetën do të sjellë turistë më shumë se vitin e kaluar, do të sjelli më shumë punë dhe lekë dhe do të sjelli më shumë ekonomi, e ne tani të kthehemi mbrapsht, e këtu mos të vinë as vaksinat, e këtu të fillojë prap historia me një rrumpallë infektimi dhe me njerëz që nuk e kanë idenë çdo të thotë të drejtosh, të rrish pa gjumë për t’ju ndenjur njerëzve pranë. Që nuk e kanë idenë çdo të thotë të shkosh e të bredhësh gjithë botën e t’ju ulesh në gjunjë gjithë botës e t’ju thuash kemi nevojë”.

“Është koha për të qëndruar drejtë dhe për të marrë vendim që do të çojmë përpara gjithë punët që kemi nisur dhe të çojmë përpara gjithë këtë përpjekje, dhe për të mos shkuar  mbrapa, prapë në gropë. Ashtu siç ka ndodhur më parë”, – deklaroi Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.