Në përfundim rindërtimi i 145 banesave në Rrogozhinë/ Qytetarja-Ramës: Nuk e imagjinoja se do bëhesha ndonjëherë me shtëpi

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Rrogozhina është një nga zonat që u prek nga tërmeti i 26 nëntorit, ku procesi i Rindërtimit ka avancuar.

Janë 236 banesa individuale në proces rindërtimit, të cilat janë ndarë në dy faza. Në fazën e parë po përfundon rindërtimi i 145 banesave individuale. Kryeministri Edi Rama inspektoi sot disa nga kantieret e rindërtimit të shtëpive individuale. Banorë që mbetën pa strehë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, të cilët shumë shpejtë do hyjnë në banesë të re falënderuan kryeministrin Rama.

“Hallall ta bëftë Zoti, se nuk e imagjinoja se do bëhesha ndonjëherë me shtëpi, se shtëpia ime ishte 100-vjeçare dhe pas tërmetit mu bë më keq. Nuk e imagjinoja se do më bëhej shtëpi model”, u shpreh një qytetare, së cilës po i ndërtohet banesa e re.

Kryetari i bashkisë Rrogozhinë bëri të ditur se 39 familje kanë marrë bonusin për ta ndërtuar vetë banesën dhe është shpërndarë 100 % fondi prej 1.7 miliardë lekë për familjet me dëmtime të banesave DS1, DS2 dhe DS3.​

Paralelisht puna po vijon edhe për rindërtimin e objekteve arsimore.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.