TIRANË, 1 prill/ATSH/ Kandidatja e Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Bora Muzhaqi u shpreh sot se, “nuk e shikoj politikën si qëllim në vetvete, por si një mjet për të ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, si dhe për të promovuar politikat për rininë”.
Pasi ka studiuar jashtë në një prej universiteteve më të mira në Britaninë e Madhe, Muzhaqi është kthyer në Shqipëri për të dhënë kontributin dhe dijen e saj në shërbim të vendit.
”Partia Socialiste ka qënë gjithmonë një forcë politike e hapur për idetë e reja dhe përfshirjen e të rinjve profesionistë pranë saj. Hapja e një platforme si ‘Deputeti që Duam’, ku u ftuan të aplikonin të gjithë ata që donin të ishin pjesë e Partisë Socialiste, ishte një format shumë meritokratik, ku janë përzgjedhur shumë të rinj profesionistë, të cilët nuk kanë patur angazhime të mëparshme politike, por edhe shumë të tjerë me angazhime aktive politike. Unë jam krenare dhe e privilegjuar që jam një nga ata që përfaqësojnë rininë në Partinë Socialiste. Jam edhe më krenare që janë shumë të tillë, kudo nëpër qarqe, jo vetëm në Tiranë, që vijnë nga eksperienca të suksesshme profesionale dhe mund të ofrojnë kontributin e tyre për vendin”, tha Muzhaqi.
Mendoj, tha ajo, “se hapi për t’u bërë kandidate erdhi nga dëshira për t’u bërë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe politikëbërjes në Shqipëri, si dhe për t’u ofruar të rinjve një përfaqësues të zërit të tyre në parlament”.
“Një shtysë drejt këtij vendimi ishte ftesa e Kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste për të gjithë ata profesionistë të angazhuar ose jo me Partinë Socialiste, që kishin dëshirën dhe vullnetin për t’u bërë pjesë e qeverisjes së vendit të tyre të aplikonin”, tha ajo.
Hapi i parë i rëndsishëm që duhet të ndërmarrin të gjithë të rinjtë, sipas saj, “është që më 25 prill të shprehin vullnetin e tyre për kë dëshirojnë që të qeverisë vendin, me anë të votës së tyre”.
Mendoj, tha ajo, “se detyra kryesore e çdo politikani është të përcjellë zërin e atyre që përfaqëson, dhe unë dua që të luftoj dhe shtyj para çdo nismë që përmirëson jetën dhe perspektivat për të rinjtë në Shqipëri. Unë dua që të gjithë të rinjtë, njësoj si unë, ta shohin Shqipërinë si të ardhmen e tyre”.
“Unë vërtet kandidoj si Bora në këto zgjedhje, por ndërkohë jam pjesë e një ekipi, dhe si e tillë nuk do të isha pjesë e skuadrës së Partisë Socialiste nëse nuk do të besoja tek programi që ofron. Sfidat kryesore për të cilat ne duhet të vijojmë punën janë vaksinimi dhe rindërtimi, procese të nisura ku është bërë një punë shumë e mirë, por që duhet t’i vazhdojmë me të njëjtin hap edhe më tej. Mendoj se u ofroj qytetarëve një profil të ndryshëm, dhe ndonëse nuk bëj premtime të mëdha, të cilat dyshoj se mund t’i mbaj, unë premtoj veprime konkrete për të cilat jam e sigurt që do jem në gjendje të përgjigjem në të ardhmen”, tha ajo./m.m/r.e/j.p/
