“Meta, Berisha, Kryemadhi armiq të Reformës në Drejtësi”/ Në NATO na futi Amerika

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, këto zgjedhje vendosin përfundimisht fatin e drejtësisë.

Duke folur në një takim me fermerët në Rrogozhinë, Rama u shpreh se, “në fund fare mos harroni, këto zgjedhje, janë zgjedhje që vendosin përfundimisht fatin e drejtësisë”.

“E kemi ngritur me shumë mundim bazën. Ka filluar të çelë me shumë mundim embrioni i drejtësisë së re. Ilir Metës do t’i jepni ju besimin, që rri e flet me vete sa herë del në televizor,e pa i thënë kush, një në 3 fjalë e ka burgu, burgu, burgu, e thotë, vetë. Se çfarë ka ky që i rri mendja tek burgu le ta gjejë vetë”, tha Rama.

“Ne e dimë shumë mirë, Ilir Meta, Sali Berisha, Monika Kryemadhi janë armiq të reformës në drejtësi. Janë armiq të drejtësisë së re. Janë armiq të drejtësisë së pastër që po ndërtohet hap pas hapi, s’mund të ndërtohet sa hap e mbyll sytë. Se nuk mundet të prodhojë toka, duke punuar një ditë. Duhet të punosh përditë. Duhet të presësh me durim, që fara të bëhet fidan, fidani të bëhet pemë, pema të prodhojë dhe prodhimin ta marrësh. Drejtësia në Shqipëri bëhet vetëm në qoftë se populli e mbron”, theksoi Rama.

Rama theksoi se, “është koha për të qëndruar shumë drejtë. Është koha për të marrë vendim. Do vazhdojmë përpara të kryejmë punët që kemi nisur dhe t’i çojmë deri në fund gjithë këto përpjekje? Apo do shkojë prapë në gropë? Siç kemi shkuar gjithmonë xhanëm kur kanë ardhur ata. Më tregoni njëherë kur ata morën detyrën dhe nuk e lanë më keq se ç’e gjetën? Më tregoni një herë, më tregoni një vend që nuk e lanë më keq se ç’e gjetën?”

“Iu ka ngel goja iu futëm në NATO, iu futëm në NATO. Në NATO na futi Amerika ne nuk na futën këta”, tha Rama.

“Vazhdimi dhe përfundimi me sukses i luftës me armikun e padukshëm është 25 prilli. Vazhdimi dhe përfundimi me sukses i rindërtimit, që asnjë familje të mos ngelet pa u kthyer në një shtëpi më të fortë, më të bukur, më të madhe është 25 prilli. Rritja e mëtejshme e eksporteve bujqësore dhe rritja e mëtejshme e mbështetjes për të gjithë ju vendoset më 25 prill”, theksoi kryeministri Rama.

“Përrallat me mbret duke shpërndarë euro me llafe, do japim 1 mijë euro këtu, do japim 500 euro aty , do japim 3 mijë euro këtej, do japim 7 mijë euro këtej, duhet t’ju kujtojnë vetëm një gjë, Suden, Vehbiun, Xhaferrin. Nuk ka sot, s’ka pasur kurrë, por nuk ka sot, qofte ke daja. Sot secili duhet të ndihmohet dhe të mbështetet që të mbrojë jetën, të ketë strehën mbi kokë apo të vazhdojë punën e tij. Me punë, me punë dhe vetëm me punë”, tha Rama.

“Është një ndarje e prerë mes dy botëve. Bota e vaksinimit dhe bota e infektimit. Bota e rindërtimit dhe bota e ri shkatërrimit. Bota e punës, besimit dhe durimit dhe bota e qokave, bota e rrenave ”, u shpreh Rama. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.