Ligji për Arsimin e Lartë forcoi autonominë e universiteteve, platforma të shkruhet nga pedagogët


TIRANË, 1 prill /ATSH/ “Ligji për Arsimin e lartë forcoi autonominë e universiteteve”, u shpreh sot Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me pedagoge e pedagogë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” në Shkodër.

Duke u ndalur në reformën e Arsimit, Rama tha se, “u desh bërë një hap ekstrem për të mbyllur gjithë ato universitete për të frenuar gjithë ajo hemoragji e tmerrshme që ishte”.

“Lidhja e rektorëve është direkt me ministrin, se një farë mënyrë rektori është personi numër një dhe i tillë është dhe mëkëmbësi i vetë qeverisë aty, nga pikëpamja e zbatimit të ligjit”, – theksoi ai.

Kryeministri theksoi se, “me Ligjin e Arsimit të Lartë ne e kemi shty fort procesin në drejtim të autonomisë dhe ligji jep një autonomi të madhe universitetit”.

Por, sipas tij, autonomia këtu kuptohet si liri, pro jo si përgjegjësi. Ato duhet të shkojnë bashkë. Të dyja këto duhet të shkojnë bashkë që të funksionojë autonomia.

“Ajo që na shqetëson është se gjërat duhet të shkojnë në vënien në shfrytëzim të autonomisë për të qenë kreativë dhe për të hap shtigje të reja për t’u adaptuar me kushtet e reja. Por fatkeqësisht tendenca e përgjithshme është shto produkt për të mbajt pedagogë dhe për të mbajt universitetin me tarifa. Kjo është gjëja që na ka bërë ne që të jemi shumë refuzues për të vazhduar në të njëjtën rrugë”, theksoi Rama.

Kryeministri u shpreh se tendencat e shqetësimit duhet të kthen në reforma për universitetin, të shkruar dhe konsultuar mes pedagogëve, në një platformë për një periudhë 10-vjeçare dhe detajet e funksionimit duhet të sqarohen.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.