Dyfishohet sipërfaqja e tokës së punuar, sot 250 mijë ha tokë nga 125 mijë në 2013

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se sot janë 250 mijë ha tokë bujqësore e punuar në të gjithë vendin.

Në një takim me fermerët sot në Rrogozhinë për mbështetjen e deritanishme shtetërore përmes skemave mbështetëse dhe rritjen e mëtejshme të saj në Planin e Veprimit 2021-2025, Kryeministri Rama theksoi se, “në këto 7 vite e pak që ne jemi në krye të detyrës kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës që punohet. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot jemi në 250 mijë ha tokë dhe ka ende sipërfaqe për tu mbuluar me punë, sepse ka ende sipërfaqe ku ne duhet të arrijmë të çojmë kanalet ujitëse dhe kulluese”.

Por, vijoi Rama, më e madhja është bërë, pjesa më e tmerrshme e një llumi që kishte bllokuar gjithandej sistemet e ujësjellës kanalizimeve në bujqësi është lënë mbrapa.

Më tej Kryeministri Rama tha se “nuk ka kënaqësi më të madhe për mua sesa për shkak të detyrës kam fatin e mundësinë të takohem me njerëzit e punës, me njerëzit që punojnë me njerëzit që nxjerrin bukën dhe të ardhurat e familjes me punë të ndershme, këmbëngulëse, punë e cila lodh , streson por në fund të bën të flesh i qetë dhe të çohesh të nesërmen me të njëjtën energji dhe entuziazëm. Më erdhi shumë mirë sot që miqtë që janë me mua dhe më krijuan këtë mundësi kanë menduar të organizojnë këtë takim me ju me njerëzit e tokës me fermerët me ata që nuk bëjnë lajm që i shikon rrallë për mos thënë fare në ekranet  e televizioneve”.

“I shikon të jenë komplet të neglizhuar nga klubet e natës ku mblidhen nëpër kolltuqe ata që quhen analistë edhe dërdëllisin pa pushim duke i dhënë mend të gjithëve pa i thënë një herë punës së tyre ‘mirëmëngjes’”, – shtoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “më vjen shumë mirë që jam këtu me ju dhe përmes jush mund të flas me dhjetëra të tjerë si ju se jeni ju baza e një transformimi që është i pamohueshëm në sektorin e  bujqësisë për të cilin ka dy shifra, dy fakte që mbase kurrë nuk do të dalin në televizor dhe mbase shumëkush që e shikon fshatin përmes televizorit nuk do i dëgjoj, por që janë dy shifra që tregojnë se ne jemi në drejtimin e duhur dhe kemi vendosur bazat e forta të një transformimi që vazhdon”.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.