COVID-19 – Kanadaja rimbyllet për shkak të valës së tretë

MONTREAL, 1 prill /ATSH-AFP/ – Përballë një valë të tretë COVID-19, dy provincat më të populluara të Kanadasë, Ontario dhe Quebec, kanë marrë masa të rrepta frenimi.

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford pritet të njoftojë sot një bllokim 28-ditor për të gjithë provincën me 14 milionë banorë.

Kanadaja, që ka regjistruar afërsisht 23 000 vdekje që nga fillimi i pandemisë, pritet të kapërcejë pragun simbolik të një milion rasteve COVID-19 brenda pak ditësh, përfshirë më shumë se një të tretën në Ontario.

Provinca ka konfirmuar më shumë se 2 000 raste të reja çdo ditë, një shifër që është dyfishuar në një muaj, ndërsa shtrimet në spital janë rritur në 41,7 % në dy javët e fundit.

“Vala e tretë ka mbërritur dhe ajo po mbizotërohet nga variante shqetësuese”, paralajmëruan ekspertët shëndetësorë të Ontarios në një raport të lëshuar sot.

Quebec, provinca e dytë më e prekur, ka vendosur gjithashtu kontrollin në disa rajone përveç një shtetrrethimi nate në fuqi që nga fillimi i janarit, një masë e pashembullt në Kanada në shkallën e një province që nga epidemia e gripit spanjoll një shekull më parë.

Këto njoftime u përgjigjen masave më të rrepta të kufizimit që janë rekomanduar kohët e fundit nga autoritetet shëndetësore në Kanada, për të luftuar kundër varianteve që konsiderohen të jenë më të transmetueshme dhe më ngjitëse./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.