Reforma në Drejtësi/ Gjonaj: Institucionet e reja të sistemit të drejtësisë tërësisht funksionale

TIRANË, 31 mars /ATSH – I. Vata/ Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj deklaroi sot se të gjitha institucionet e reja të sistemit të drejtësisë janë tërësisht funksionale.

Ajo tha se kemi të ngritura dhe në funksion këshillat, atë gjyqësor dhe atë të prokurorisë, si dy organe të pavarura të qeverisjes të sistemit të drejtësisë të cilat kanë kryer procese të rëndësishme në promovimin, emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, dhe në ngritjen e institucioneve të reja.

“Kemi të emëruar Prokurorin e Përgjithshëm, pas një procesi verifikimi dhe vlerësimi nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kemi të emëruar dhe në funksion Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, që tashmë si një institucion i pavarur, inspekton gjyqtarët dhe prokurorët me qëllim ndëshkimin e rasteve të shkeljes së ligjit. Kemi një Gjykatë Kushtetuese funksionale, me kuorumin e nevojshëm, ku pavarësisht sfidave të jashtëzakonshme, u finalizua emërimi i tyre, nëpërmjet një procesi tërësisht të pavarur nga preferencat e politikës. Kemi 3 gjyqtarë të Gjykatës së Lartë të cilët vijojnë punën për të ulur me ritme të shpejta numrin e çështjeve të shumta që presin të gjykohen nga kjo gjykatë. Kësaj trupe pritet shumë shpejt ti shtohen anëtarët e rinj që do të emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor”, tha ajo.

Po ashtu, Gjonaj shton se “kemi tërësisht funksionale strukturën e SPAK, ku pritet ti bashkohet edhe struktura e plotësuar e BKH-së, e cila do të hetojë korrupsionin në nivele të larta dhe krimin e organizuar”.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.