Mjekja shqiptare në Gjermani, Dollenberg: Vaksina kineze “Sinovac” nuk shkakton efekte anësore

TIRANË, 31 mars/ ATSH/ Mjekja Aurora Meta Dollenberg tha sot se vaksina kineze “Sinovac” krijon imunitet nga COVID-19 pas 6 javësh, por nuk shkakton efekte anësore dhe ka një rrezik shumë të ulët për shëndetin.

Në një intervistë televizive mjekja Dollenberg thekson se, “patjetër që nga një produkt kinez nuk ka imazhin e një produkti gjerman ose europian dhe sidomos kur bëhet fjalë për një produkt biologjik që do t’i jepet organizmit”.

“Mirëkuptoj shumë çdo shqiptar që thotë kam frikë. Unë si mjeke dhe si eksperte duke parë edhe situatën jo të favorshme në të cilën ndodhemi në tremujorin e fundit në Shqipëri, e frustruar mbase edhe nga “të qenurit kërnace” që po tregon Europa në këto momente, them se sido që të jetë, përbën një hap pozitiv drejt vaksinimit të tufës”, u shpreh mjekja.

“Ne e dimë që vaksina kineze nuk e ka marrë patentën nga EMA, por Kina është në Azi dhe Kina e sheh veten të krahasueshme me Europën dhe Amerikën dhe nuk i nënshtrohet gjithmonë autoriteteve europiane, por bazohemi te statistikat në terren, sepse studimet e mirëfillta Kina nuk i ka bërë të njohura. Kjo vaksinë është dhënë në 70 vende të botës së tretë dhe është vënë re se ka një efektshmëri nga 50 % e pak deri në 80 %”, – tha mjekja.

Shpresojmë, vijon ajo, që kjo vaksinë kineze që është ndërtuar me kosto të ulët, por në mënyrë tradicionale dhe me një proteinë të vdekur, ka një rrezik për shëndetin shumë të ulët.

“Me ARN ka një efektshmëri që kërkon më tepër kohë, kërkon 6 javë derisa të krijohet imuniteti, por ka të mirën që nuk shkakton efektet anësore që japin vaksinat me vektorët e gjallë. Në këtë pikë, Kina ka bërë një hap të mirë. Së dyti, statistikat e Turqisë na japin shpresë se edhe në Shqipëri mund të kemi një efikasitetet të lartë, nga 60-70 %”, – tha Dollenberg.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.