30-vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA/ Xhaçka: Lidhje e fortë mes dy popujve

TIRANË, 31 mars /ATSH/ Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në konferencën me temë “30-vjetori i marrëdhënieve Shqipëri-SHBA”, të organizuar nga Instituti Shqiptar për​ Studime Ndërkombëtare.

Ministrja Xhaçka theksoi se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA nuk i përkasin thjesht diplomacisë apo raporteve mes qeverive e shteteve, por janë një lidhje e fortë dhe e shumanshme mes dy popujve.

Sipas saj, marrëdhënia me SHBA ka qenë përcaktuese për historinë e Shqipërisë, duke filluar që nga roli i saj në shmangien e copëtimit të Shqipërisë një shekull më parë, deri tek rrëzimi i komunizmit dhe vendosja e paqes e stabilitetit në rajonin tonë.

“Sot, SHBA janë sërish shumë të angazhuara për të mbështetur Shqipërinë në çdo fushë, që nga mbrojtja, e deri tek fusha ekonomike, ku sot priten investime shumë serioze strategjike amerikane në fushën e energjisë, por sidomos tek Reforma në Drejtësi, ku sot ambasadorja Kim po vazhdon me ngulm misionin e të gjithë paraardhësve të saj për ta mbështetur Shqipërinë të ndërtojë këtu, një vend europian, demokratik, që funksionon mbi sundimin e ligjit”, deklaroi kryediplomatja Xhaçka. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.