Rama në agroturizmin në Mirditë, apel emigrantëve: Investoni te shtëpia e të parëve që të bëhet e ardhmja juaj


TIRANË, 30 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama vizitoi sot një agroturizëm në zonën e Mirditës, ku u bëri thirrje emigrantëve të investojnë të ardhurat e tyre në tokën e të parëve, që të bëhet e ardhmja e tyre.

“Ky është Kola, një mirditor kokëfortë që nuk e ka lënë tokën këtu. Merreni rrugën, në Mirditë nuk keni vetëm Kolën, por keni disa me radhë që ju ofrojnë gjithçka e bën të bukur natyrën shqiptare, traditën shqiptare dhe mbi të gjitha traditën mirditore”, tha Rama.

Unë, vijoi Kryeministri, “jam shumë krenar që ne i kemi dhënë mbështetje edhe Kolës, edhe të tjerëve”.

“Do vazhdojmë t’i japim mbështetje që toka e të parëve të bëhet e ardhmja e këtyre familjeve, që toka e të parëve të bëhet e ardhmja e emigrantëve që janë jashtë që kursimet e tyre t’i investojnë në këto zona të mrekullueshme ku mjafton të rilindë shtëpia e të parëve, të hapet dera, të ofrohet mikpritja, ushqimi i zonës, buzëqeshja dhe besnikëria e zonës që merr në mbrojtje çdo mik që shkel në kufirin e vetë dhe e ardhmja është e sigurt”, tha Rama.

Kryeministri tha se, “shumë më tepër fitime ka këtu sesa me qenë atje në emigracion dhe me punuar për të tjerët e me marrë në fund një pagë”.

/m.m//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.