Rakacolli, apel qytetarëve: Vijoni zbatimin e masave antikovid, kemi ende mjaft infektime

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Zëvendësministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli, i bëri apel qytetarëve të vazhdojnë të zbatojnë masat, maskat, distancimin fizik dhe social, pasi sipas saj ende nuk janë numra të kënaqshëm infektimet nga COVID-19.

Në një intervistë televizive Rakacolli tha se “vaksinimet sot e kanë kaluar shifrën e 100 mijë personave, ritmet me të cilat po ecet janë shumë premtuese për një ecuri shumë të mirë të vaksinimit dhe për një prerje të zinxhirit të transmetimit që të kemi një verë me turizëm të aktivizuar. Por nuk janë ende numra të kënaqshëm, kështu që duhet të vazhdojmë të mbajmë masat që kemi thënë, maska, distancim fizik e social”.

“Epidemia është zhvilluar me valë dhe ka ndjekur një tendencë valësh, ku vendet që e kanë pasur më shpejt, e kanë kaluar më herët valën. Në Kosovë epidemia filloi më vonë dhe rastet janë rritur më vonë”, – tha Rakacolli.

Zv.ministrja Rakacolli u shpreh se “edhe tek vendi ynë kjo është arsyeja pse nuk i ndryshuam masat në mbledhjen e Komitetit, pasi diskutuam edhe problemin e zgjedhjeve”.

“Ne i bëmë thirrje qytetarëve të shtojnë tendencën e mirë që u vu re në mbajtjen e maskave dhe çoi në uljen e numri të infektimeve”, – tha Rakacolli.

/k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.