TIRANË, 30 mars/ATSH/ Kryeministri Edi Rama duke folur për grumbullimet e Partisë Demokratike gjatë fushatës elektorale tha sot se, “larg qoftë, se këtë nuk ia uroj askujt, por këta do të përfundojnë që mitingun e përmbylljes ta bëjnë tek “Shefqet Ndroqi””.
Gjatë prezantimit të kandidatëve për deputetë të qarkut të Lezhës Kryeministri Rama tha se, “të verbër komplet, po ai stil me COVID pa COVID, këtë kanë ata dy gishta dhe Rama ik. Ndërkohë që ne jemi këtu për të përzënë COVID. Ata dhe me COVID janë gati të bëhen aleatë, qysh u bënë në krye të herës me tërmetin, përmbytjet, me kovidin, Rama ik. Nuk dinë fjalë tjetër”.
“Ajo tregon dhe hallin që kanë, ik se ne nuk të mundim dot, ik vetë të na hapësh rrugën ne. Këtu në është fjala për t’i hapur rrugën dikujt apo zënë rrugën dikujt. Duke qenë me pak njerëz është një fushatë ku mund të flasim dhe jo të bërtasim, ku fjalët duhet të dëgjohen dhe jo vetëm të thirren, dhe ku është mundësia për të komunikuar drejtpërdrejt. Ata nuk dinë të komunikojnë drejt, prandaj duan rrëmujë me dy gishta e makina. Po kur mblodhën gjithë makinat atje në shesh dhe dolën nga makina duke u mbledhur me njëri-tjetrin?” – tha Rama.
Më tej Kryeministri u shpreh se, “do t’i ndërpresim investimet në Lezhë për Markun, Gjonmarkun apo do i ndërpresim për Monikën dhe Ilirin. Monika dhe Ilir, laj thaj, të njëjtin. Çohu e ngrihu po atë. Nuk dua të flas as për të, por mjafton të thuash tre emra: Sali, Ilir, Monika, i ke thënë të tëra, por këtu vijnë dhe Mediu, Dash Shehu, Vangjel Dulja, Shpëtim Idrizi, Mesila Doda, Nard Ndoka. Po kur thonë që, na votoni ne, që të mos ikin shqiptarët?!”
“Domethënë t’i votojmë këta që të rrinë shqiptarët këtu, besoj që është shumë e qartë që Luli është thjeshtë dhëndri që ka nisur që do bëjë një dasmë me shpresën që ta hajë kush ta hajë, dhe po e hëngri shumica s’ka problem. Por nusja që kërkohet është Shqipëria, dhe nuk kërkohet për Lulin, se Luli është si Gjinua, kërkohet për shkesët për Saliun, për Ilirin dhe Monikën. Gjinua është për të krijuar idenë që një dasmë do të ndodhë, djali është i mirë, nuk është edhe aq i keq, por më duket se gjumi i tepërt i ka dëmtuar atë zonën ku njeriu mendon se nuk e imagjinoj se vetë krijon vatra COVID dhe vetë qëndron mbi makinë dhe thotë erdha, dua nuse, dhe dasmorët poshtë bëhen përshesh. Larg qoftë, se këtë nuk ia uroj askujt, por këta do të përfundojnë që mitingun e përmbylljes ta bëjnë tek “Shefqet Ndroqi””, tha Rama.
/k.s/j.p/r.e/
