“Është mundësia të bëjnë fushatë qytetare”/ Manja: Opozita shpërfill masat, ne vaksinojmë gjysmë milioni deri në fund të majit

TIRANË, 30 mars/ATSH/ Kandidati për deputet i Partisë Socialiste, Ulsi Manja theksoi sot se tri janë shtyllat e fushatës elektorale të Partisë Socialiste: pandemia, rindërtimi dhe zbatimi i plotë dhe mbrojtja e Reformës në Drejtësi.

Në një intervistë televizive Manja tha se, “unë nuk them se ne e kërkojmë mandatin e tretë se nuk kanë kujt t’ia japin shqiptarët, sepse realisht edhe nuk kanë, janë një opozitë që kanë vetëm emrin “Aleanca për Ndryshim””.

“Ata që Partia Demokratike ka hipur në trenin e kësaj aleance janë jo xhaketa të vjetra, por të kthyera mbrapsht, të vjetëruara edhe mbrapsht dhe tani janë kthyer prapë nga ana tjetër. Por nuk është ky problemi ynë. Ne garën e kemi me vetveten, me ato që kemi bërë në 8 vite, me ato që i kemi bërë mirë, me ato që kemi filluar e nuk i kemi mbaruar akoma dhe ato që nuk i kemi filluar akoma”, u shpreh Manja.

“Ajo që duhet të kishim adresuar që në mandatin e parë dhe t’i kishim dhënë zgjidhje do ishte çështja e pronës në Shqipëri. Miratimi i ligjit në vitin 2020 duhet të ishte prerogativ dhe reforma e mandatit të parë”, tha ai.

Duke u ndalur tek pandemia, Manja tha se, “kush nuk e ka kaluar, nuk e ka kuptuar akoma COVID-19”.

“Unë e kam kaluar dhe shumica që e kanë kaluar e dinë çdo do të thotë të përballesh me COVID-19 dhe e kupton rëndësinë e jetës edhe faturat e rënda financiare, sepse shëndetësia edhe kushton. Duket sikur fushata e 25 prillit është kthyer në dikë që bën policin e mirë, ne që respektojmë masat antikovid dhe Lulzim Basha e të tjerë që po bëjnë policin e keq. Nuk është kjo fushata. Në fakt loja me jetën nuk mund të kthehet në lojë me pushtetin, pasi në momentin që mbaron opozita takimet në shpërfillje të plotë të masave antikovid, Basha kthehet në Tiranë dhe e ka mundësinë të kujdeset për jetën, ata qytetarë që mblidhen janë militantë partie, ai nuk mban asnjë përgjegjësi për përhapjen e COVID-19”, tha Manja.

“Është mundësia të bëjnë fushatë qytetare, si të gjitha vendet para nesh që kanë bërë fushatat elektorale në kohë pandemie, si Kosova në 14 shkurt. Ne pretendojmë që në pranverën e 2022-it të kemi vaksinuar plotësisht popullsinë dhe deri në fund të majit 2021 të vaksinojmë 500 mijë qytetarë, që të hapim plotësisht sezonin turistik në Shqipëri”, – shtoi ai.

Sa i përket rindërtimit, Manja tha se në pranverën e 2022 do të jenë eliminuar plotësisht pasojat e tërmetit.

Lidhur me drejtësinë e re  Manja tha se, “na takon të japim gjithë mbështetjen për zbatimin dhe ta mbrojmë se pala tjetër e ka bërë kalë beteje, se për ta nuk ekziston Reforma në Drejtësi. Drejtësia e re do të jetë tërësisht funksionale dhe do prodhojë ato rezultate që presin qytetarët shqiptarë”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.