Basha: Emigrimi, plaga më e madhe që ka sot shoqëria shqiptare

TIRANË, 30 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, është ndalur sot në Patos të Fierit ku ka zhvilluar një bisedë me gra që kanë fëmijët në emigracion.

Në bisedën që patën me Bashën, ato u shprehën se emigrimi i fëmijëve është një dhimbje e madhe, por papunësia dhe humbja e shpresës për një të ardhme në Shqipëri janë arsyet që i shtynë të ikin.

Basha tha se emigrimi është plaga më e madhe që ka sot shoqëria shqiptare.

Arsyeja kryesore sipas tij, është paaftësia e qeverisë në krijimin e vendeve të reja të punës dhe korrupsioni i lartë.

“Për mua nuk është thjesht një plagë e madhe. Për mua emigracioni është plaga  më e madhe që ka sot shoqëria. Dhimbja që ju ndjeni si nëna, është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Problemi qëndron që në këto vitet e fundit, emigracioni në Shqipëri është kthyer në një katastrofë kombëtare”, tha Basha.

“Emigracion ka patur e do të vazhdojë të ketë gjithmonë. Edhe shoqëritë e përparuara dhe të zhvilluara, kanë emigracion. Lëvizja e njerëzve është e natyrshme. Madje ne kemi luftuar që njerëzit të kenë lirinë të lëvizin. Por ajo që po na ndodh ne tani, nuk është emigracioni normal, është zbrazje! Është zbrazja e Shqipërisë! Pse po zbrazet Shqipëria? Brenda pyetjes që më bëre, është edhe përgjigjja: sepse nuk gjejnë kushtet për të ndërtuar jetën e tyre këtu. Çfarë kërkon rinia? Shanset për arsimim, pas arsimimit punësimin dhe pastaj lehtësira për të themeluar jetën e tyre. Sepse të rinjtë duan të themelojnë familjet e tyre, çiftet duan tё martohen, duan tё bёjnё fëmijë duan tё kanё njё banesё, duan tё kenё njё siguri pёr jetёn, duan tё kenё njё kujdes shёndetёsor nё standarde tё paktёn minimale pёr tё garantuar shёndetin e tyre dhe shёndetin e fёmijёve por po kёshtu edhe shёndetin e prindёrve”, tha Basha.

“E pra tё gjitha kёto fusha njё shoqёri normale bёnë përpara. Pёr fat tё keq nё tё gjithё këto fusha pa përjashtim këto 8 vite Shqipёria ka mbetur nё vend. Edhe nё ato fusha qё kemi qenё mё përpara se tё tjerat na e kanё kaluar fqinjët. Pse ka ndodhur kjo? Unё mund tё rri me orë e tё them pse arsyet kanё ndodhur kjo por po marr vetёm njё rast, po marr vetёm njё shembull tё cilën ju si zonja, banore tё Patosit tё qarkut tё Fierit e dini shumë qё e kanё marrё vesh e gjithё Shqipёria. Nё Europë kërkohen sot afro 500 mijë programues, ata janë gati tё paguajnë rroga, paga tё cilat nisin nё nivelin e pagesë sё njё deputeti nё Shqipëri dhe shkojnë deri nё 2000, 2500 e deri nё 3000 euro. Por qё tё ndodh kjo duhet qё qeveria tё bёjё dy gjëra: e para e punës, tё krijojë kushte qё investitorët tё vijnë këtu; dhe e dyta tё trajnojë rininë shqiptare qё tё jetë e gatshme pёr t’u punësuar nё këto lloj punësh apo nё punë tё ngjashme me këtu”, u shpreh Basha.

“Paratë e shqiptarëve do të vihen në funksione të shqiptarëve. Dhe prioriteti numër një do të jetë kualifikimi i rinisë në këto degë të reja të industrisë dhe thithja e investitorëve të huaj. Këtë që po ju them këtë bënë Maqedonia e Veriut. Unë s’ju premtoj mrekulli, nuk kam ardhur t’ju premtoj mrekulli. Edhe në ditët kur luftonim për të hequr vizat për shqiptarët e dija që sado që dukej si një ëndërr e pa realizueshme e dija që nuk po premtoja mrekulli, por premtoja diçka të bëshme”, tha Basha. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.