Vaksinimi i të moshuarve mbi 80-vjeç në qendrat shëndetësore/ Manastirliu: Askush të mos mbetet pa vaksinuar dhe pa marrë njoftimin

TIRANË, 29 mars/ATSH/ Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, vizitoi sot qendrën shëndetësore nr. 4 në Tiranë ku po vaksinohen gjyshet dhe gjyshërit më të moshuar.

Gjatë vizitës në këtë qendër ministrja Manastirliu i këshilloi të moshuarit të kenë përsëri kujdes edhe pas bërjes së vaksinës.

“Do të jeni më të mbrojtur, por duhet të bëni sërish kujdes”, – tha ministrja.

Të moshuarit e falënderuan ministren Manastirliu dhe qeverinë për ardhjen e vaksinave dhe kryerjen e tyre.

Infermierët e kësaj qendre thanë se për një orë janë kryer 40 vaksinime, ndërsa planifikimi për ditën e sotme është 100 banorë.

Ministrja Manastirliu u shpreh se, “nuk duhet ta mbyllim qendrën deri sa të kryhet edhe vaksinimi i banorit të fundit që ka radhën. Është shumë rëndësishme të ndiqet radha. Lajmërimet duhen bërë me korrektesë, radha sipas grupmoshës nga më e larta, deri tek tjetra. Duhet të kemi kujdes në ruajtjen e fashave, në mënyrë që të lajmërohen në kohë dhe të gjithë ta bëjnë vaksinën sa më shpejt. Moshat mbi 80 vjeç të vaksinohen në qendrat shëndetësore dhe ata mbi 70-vjeç në sheshin ‘Skënderbej'”.

“Mjeku i familjes ka mundësinë që të regjistrojë kërkesën për vaksinim edhe nëpërmjet portalit e-Albania. Duhet të marrim gjithë kërkesat e të njoftojmë në kohë qytetarët, që askush të mos mbetet pa vaksinuar dhe pa marrë njoftimin se kur do të vaksinohet”, – tha ministrja Manastirliu.

Në të gjithë vendin vijon procesi i vaksinimit të të moshuarve mbi 80-vjeç, ndërsa dje ka nisur vaksinimi masiv i personave 75-vjeç.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.