Marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e ndërsjellë të patentave hyn në fuqi

TIRANË, 29 mars /ATSH/ Zyrtarizohet marrëveshja mes Shqipërisë dhe Italisë për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit.

Pas marrëveshjes mes dy shteteve, vendimi është botuar sot në Fletoren Zyrtare.

Tashmë shqiptarët mund të udhëtojnë pa probleme drejt Italisë me patentat që marrin në Shqipëri, dhe nuk kanë nevojë për konvertim në shtetin fqinj përtej Adriatikut.

Marrëveshja është në fuqi për 5 vite, ndërsa më pas palët do të rikthehen për rinovim.

Sipas marrëveshjes së publikuar në Fletoren Zyrtare, konsiderohen situata të veçanta, ato që kanë të bëjnë me drejtuesit me kërkesa të veçanta, që kërkojnë përshtatjen e automjeteve, krahasuar me konfigurimin standard ose përdorimin e protezave.

Kjo marrëveshje u arrit gjatë një vizite të kryeministrit Edi Rama në Itali, ku gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm italian, Luigi Di Maio, dhe Guvernatorin e Puljas, Michele Emiljano, Rama u kërkoi autoriteteve italiane zgjidhjen përfundimtare për njohjen e patentave shqiptare në Itali.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.