Ambasada e SHBA-së mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të Finos: Do kujtohet për udhëheqjen e Qeverisë së Pajtimit Kombëtar përgjatë vitit të vështirë 1997

TIRANË, 29 mars /ATSH – I. Vata/ Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka shprehur ngushëllime familjes dhe kolegëve për ndarjen nga jeta të deputetit të PS, Bashkim Fino.

Në një deklaratë për mediet, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerëson kontributin e Finos në qeverinë e Pajtimit Kombëtarë në 97-tën.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dëshiron t’i përçojë ngushëllimet e sinqerta familjes, miqve dhe kolegëve të Bashkim Fino, i cili u nda nga jeta sot në mënyrë të parakohshme. Fino do të kujtohet për udhëheqjen, në moshë fare të re, të Qeverisë së Pajtimit Kombëtar përgjatë vitit të vështirë 1997 e gjithashtu për kontributin e tij në proceset ligjbërëse gjatë karrierës së tij të larmishme politike. U prehtë në paqe”, thuhet në deklaratën e Ambasadës së SHBA-së në Tiranë.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.