Regjistrimi i pronarit përfitues/ Afati shtyhet deri në fund të qershorit

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave miratoi shtyrjen e afatit për regjistrin e pronarit përfitues.

“Me qëllim përmbushjen e detyrimeve ligjore të parashikuar në ligjin për regjistrin e pronarit përfitues, si dhe për të realizuar një proces sa më eficient dhe gjithëpërfshirës, duke konsideruar që afati i përmbushjes së këtij detyrimi deri më 31 mars nuk ishte i mjaftueshëm, u konsideruan arsyet e nevojshme për zgjatjen e afatit. Afati për përmbushjen e detyrimit ligjor nga subjektet raportuese u vendos 30 qershori i këtij viti”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Sipas MFE-së, zgjatja e afatit në kuptim të instrumentit ligjor u bë me Akt Normativ për shkak të rrethanave proceduriale aktuale, për garantimin e përmbushjes së detyrimeve ligjore duke konsideruar arsyet të cilat paraqiteshin në pretendimet e grupeve të interesit.

Kjo zgjatje u jep mundësinë biznesit që të plotësojnë këto detyrime brenda afatit të parashikuar në këtë Akt, si dhe u jep mundësi të bëhet pjesë e këtij procesi.

Me ndryshimet e këtij projektakti normativ, në përgjigje dhe të kërkesave të biznesit, është vlerësuar që në rastin e ndryshimeve të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese, ky regjistrim të bëhet brenda 90 ditëve nga data e ndodhjes së ndryshimit faktik. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.