Fluturimi i parë në aeroportin e Kukësit më 18 prill/ Qeveria vendim për krijimin e zonës doganore

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Këshilli i Ministrave ka marrë vendim për krijimin e zonës doganore të përhershme në Aeroportin Ndërkombëtar të Kukësit.

Vendimi është marrë një ditë më parë në mbledhjen e qeverisë me propozim të Ministrit të Financave dhe Ekonomisë.

Në vendimin e qeverisë sqarohet: Krijimin e zonës doganore të përhershme, Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, në brendësi të territorit doganor të Republikës së Shqipërisë. Shtrirja e zonës doganore është në një sipërfaqe prej 781 682 m2, sipas planvendosjes, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Ngarkohen Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave për zbatimin e këtij vendimi”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku disa ditë më parë bëri të ditur se aeroporti është aktualisht në fazën e certifikimit dhe se më 18 prill pritet të kryet fluturimi i parë Kukës-Londër.

“Kryeministri Rama, ka premtuar që në momentin kur ne nisëm punën atje, fluturimin e parë nga ky aeroport do ta bëjë me çunat e Kukësit, kështu që premtimi do të mbahet më 18 prill. Ne do të ulin Air Albania-n e parë. I kemi propozuar kryeministrit që në një nga faqet e tij në rrjetin social, duhet të lançojmë njoftimin që të gjithë të interesuarit të aplikojnë për fluturimin e parë”, është shprehur Balluku.

Balluku informoi se pas fluturimit të parë, aeroporti mbetet në dorë të koncesionarit dhe kompanive për të zgjedhur destinacionet dhe operimin.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.