“Celulari nuk do lejohet brenda qendrës së votimit”/ Celibashi: Kamera vëzhguese në çdo qendër, vota nuk mund të fotografohet

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar se në zgjedhjet e 25 prillit të gjithë qytetarëve që do të votojnë nuk do t’u lejohet celulari brenda në qendrën e votimit.

Në një intervistë televizive Celibashi tha se për herë të parë në qendrat e votimit do të instalohen kamera vëzhguese, por nuk ndërhyn në zonën ku do të votohet.

I pyetur nëse mund të fotografohet vota në këto zgjedhje, Celibashi theksoi se, “vota nuk mund të fotografohet. Ne kemi vendosur që qytetari të mos lejohet të futet në qendër me aparat celular. Ta zgjidhë si të dojë po në qendrën e votimit nuk do lejohet të futet me celular”.

“Në zgjedhjet e shkuara është lejuar, por këto zgjedhje kemi vendosur që të mos lejohet. Gjithashtu për herë të parë do të instalojmë kamera vëzhguese në çdo qendër votimi. Një kamerë që do të monitorojë gjithë procesin e votimit, por jo fletën e votimit”, u shpreh ai.

Celibashi gjithashtu konfirmoi se në zgjedhjet e 25 prillit Diaspora nuk do të votojë.

Celibashi deklaroi se Shqipëria nuk e ka Diasporën, sepse nuk është e regjistruar dhe kjo është përgjegjësi e institucioneve që duhet ta kishin bërë punën e tyre më mirë.

I pyetur nëse do të votojnë emigrantët, Celibashi tha se, “emigrantët nuk do të jetë e mundur të votojnë në këto zgjedhje. Janë rreth 3500 emigrantë që kanë deklaruar vendbanimin dhe as për ata nuk arritëm të gjenim një alternativë”.

“Ishte varianti i postës, por sa kohë ne nuk kaluam hapin e parë, atë të modaliteteve të regjistrimit të kërkesave, nuk mund të bëhet”, tha ai.

“Kur kam marrë këtë detyrë kam menduar se do ishte një numër prej qindra-mijërash, por kur hyra aty pashë që nuk e kemi Diasporën. Pashë që nuk ishte e regjistruar. Institucionet duhet ta kishin bërë këtë punë më mirë dhe ta kishin nisur më herët”, u shpreh ai.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.