BULLGARI – Parlamenti shpërndahet në prag të zgjedhjeve të 4 prillit

SOFJE, 26 mars /ATSH-DPA/ – Parlamenti i Bullgarisë u shpërnda sot, siç ishte planifikuar, përpara zgjedhjeve që do të mbahen në fillim të prillit.

Në fjalën e saj përfundimtare, kryetarja e parlamentit, Tsetska Tsacheva i kujtoi ligjvënësit se ata “do të duhet të punojnë së bashku pas 4 prillit, pa marrë parasysh sa e ashpër u bë fushata”.

Kreu i grupit parlamentar të partisë konservatore populiste GERB, Daniela Daritkova u shpreh në një mënyrë të ngjashme, duke thënë se “asnjë parti nuk është në gjendje të qeverisë e vetme”.

Pas zgjedhjeve, parlamenti ka të ngjarë të ndahet, sipas sondazheve të opinioneve.

GERB, që qeveris nga viti 2017 në një koalicion me nacionalistët, pritet të dalë si forca më e fortë politike.

Opozita, që e akuzon GERB për korrupsion, ka të ngjarë të ndahet midis disa partive, por socialistët parashikohet të bëhen fuqia e dytë më e fortë politike.

Zgjedhjet në Bullgari përkojnë me mesin e një vale të tretë të virusit dhe do të kryhen të shoqëruara nga shumë rregullore shëndetësore./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.