ATHINË – Greqia feston 200-vjetorin e Revolucionit me paradë ushtarake

ATHINË, 25 mars /ATSH-ANA/ – Festimet e sotme për 200-vjetorin e Revolucionit Grek (1821) u hapën me një përshëndetje me 21 të shtëna armësh dhe ngritjen e flamurit grek në Akropol, në prani të presidentes së Republikës, Katerina Sakellaropoulou dhe kryeministrit, Kyriakos Mitsotakis.

Sopranoja e njohur Anastasia Zanni këndoi himnin kombëtar grek dhe një liturgji festive u zhvillua në Katedralen e Athinës.

Kulmi i ditës ishte parada ushtarake në sheshin “Syntagma”.

Parada u zhvillua në rrugë të zbrazëta për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Para paradës, presidenti grek dhe përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, Francës dhe Rusisë, vendet e huaja që kontribuan në Revolucionin Grek, së bashku me Qipron, vendosën kurora me lule tek Varri i Ushtarit të Panjohur përpara Parlamentit.

Presidenti i Qipros, Nicos Anastasiades dhe bashkëshortja Andri, kryeministri i Federatës Ruse Mihail Mishustin, princi i Uellsit Charles dhe Dukesha e Cornwall Camilla dhe ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly morën pjesë në një darkë shtetërore nga presidentja Sakellaropoulou dje në mbrëmje, pas një vizite në Galerinë Kombëtare të Arteve./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.