Titulli “Mjeshtër i Madh” për alpinistët Përparim Laçi dhe Ibrahim Haçkaj (pas vdekjes)

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot, me anë të një ceremonie solemne, dy alpinistë të shquar, mësues të palodhur të gjeneratave të reja me vlerat më të mira sportive.

Presidenti i Republikës i akordoi Titullin “Mjeshtër i Madh” Përparim Laçit, “në shenjë vlerësimi për punën e palodhur në sportin e alpinizmit, qitjes dhe skive. Trajner e drejtues me kontribut e vlera të mëdha në zhvillimin e këtyre sporteve në qytetin e Pukës dhe në mbarë vendin tonë. I respektuar për veprimtarinë e tij publike, sociale dhe sportive, si dhe mbrojtjen e vlerave qytetare e demokratike”.

Po me Titullin “Mjeshtër i Madh” u dekorua nga kreu i shtetit Ibrahim Haçkaj (pas vdekjes), me motivacionin: “Në shenjë vlerësimi për pasionin dhe kontributin e madh në zhvillimin e sportit të alpinizmit. Promovues i bukurisë së maleve tona, natyrës Shqiptare, si dhe kampion në pushtimin e majave të larta në botë. Mësues i palodhur për rritjen e vlerave shoqërore dhe atdhedashëse”.

Në fjalën e tij Presidenti i Republikës u shpreh se, “është privilegj të vlerësoj sot kontributin e madh, të dy prej figurave nga më të shquara në sportin e alpinizmit”.

“Të gjitha sportet kanë rëndësinë e tyre, por alpinizmi është një sfidë guximi për çdo njeri, një sport për njohjen e natyrës tonë mahnitëse, një mjet për forcimin e miqësisë dhe një trinom mes shëndetit, aventurës edhe argëtimit”, tha Meta.

“Sporti modern ka lindur kryesisht si një mjet për të zbuluar mjedisin. Shembuj sportistësh të njohur kanë zhvilluar alpinizmin, çiklizmin, krose në natyrë, kanotazhin e sporte të tjera, në fillim nga kurioziteti për të njohur mjedisin dhe më vonë me synimin për të zhvilluar dhe përsosur aftësitë fizike”, theksoi Meta.

“Një shembull i përhapjes dhe zhvillimit të alpinizmit është Përparim Laçi, krijues i Klubit “Tërbuni”, një figurë e spikatur e sportit në rrethin e Pukës, por jo vetëm, mjaft i njohur në mbarë vendin. Ai gjithashtu ka krijuar një traditë të bukur në qytetin e Pukës me organizimin dhe financimin e garave kombëtare të qitjes me pjatel, me emrin ‘Kupa e Veriut’. Përparim Laçi përmes financimit dhe pasionit të tij është bërë një nga iniciatorët e parë të nxitjes dhe promovimit të turizmit në Pukë”, nënvizoi Meta.

“I paharruari Ibrahim Haçkaj, ka qenë një nga iniciatorët e çmuar dhe të jashtëzakonshëm në ringritjen e sportit të alpinizmit të vendit tonë. Ai njihet për vlerat shoqërore, qytetare dhe atdhedashëse, që përcolli përmes Shoqatës ‘Dajti Alpino Turistike’. Ibrahim Haçkaj gjatë gjithë jetës, inkurajoi pafund njerëzit të lidhen me natyrën dhe malet në veçanti”, tha Meta.

“Me pasionin e madh për alpinizmin, ai është ngjitur në shumë male të larta dhe të njohura nga alpinistët e gjithë botës, duke treguar pasionin dhe guximin e shqiptarëve për këtë sport. Majat shqiptare i ka ngjitur me radhë duke u kujdesur, që mijëra të rinj e të reja, të ngjiten në to duke iu kultivuar dashurinë për malet tona”, u shpreh Meta. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.