SERBI – Media e konsideron provokim vlerësimin që Rama bëri për 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s

TIRANË, 24 mars /ATSH/ – Kryeministri Edi Rama përkujtoi sot 22-vjetorin e bombardimeve të NATO-s në Serbi që çuan në pavarësinë e Kosovës.

”Adresimi historik i presidentit Bill Clinton për bombardimin e regjimit nacional-socialist të Beogradit në mbrojtje të Kosovës e bën datën e sotme një datë të pashlyeshme në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane”, shkroi Rama në Twitter.

Deklarata e kryeministrit Rama ka shkaktuar reagimin e medias serbe.

Gazetat ”Kurir”, ”Novosti” apo ”Alo” thonë se vlerësimi i Ramës është një provokim i rëndë, pasi ai ka krahasuar serbët me fashistët.

”Provokim i errët i kryeministrit shqiptar në përvjetorin e fillimit të bombardimeve”, shkruan ”Kurir”.

”Rama i krahasoi serbët me fashistët”, shton gazeta.

Ndërkohë, deklaratën e Ramës gazeta ”Novosti” e konsideron një ”provokim të turpshëm”./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.