Rasti i qytetarit L.Z/ Spitali i Vlorës: Ekipet mjekësore kanë treguar përgjegjshmëri të lartë për mbrojtjen e jetës

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Spitali Rajonal Vlorë reagoi sërish sot pas publikimit në media të një lajmi se një pacient kishte humbur jetën që prej datës 6 janar, por familja nuk ishte informuar për më shumë se dy muaj.

Përmes një reagimi, Spitali shpreh indinjatën nga përdorimi politik i një ngjarje të sqaruar qartësisht përmes një reagim të dy ditëve më parë.

“Ekipet mjekësore të Spitalit Rajonal Vlorë kanë treguar përgjegjshmëri të lartë për mbrojtjen e jetës në këtë qytet, duke qenë modeli i një shërbimi mjekësor që ka bërë zhvillimin më cilësor në këto vite. Stafi i spitalit ka bërë thirrje organeve kompetente për hetim të thelluar të rastit në fjalë, duke vënë në dispozicion prej ditës së djeshme çdo dokument që vërteton paqartësinë deri diku të qëllimshme të zonjës Zeqiri. Është solidariteti ai që mposht pandeminë dhe çdo betejë shoqërore të shkaktuar nga natyra”, thuhet në reagimin e Spitalit të Vlorës.
Deklarata e dy ditëve më parë i Spitalit Rajonal Vlorë :

 

“Shprehim ngushëllimet për humbjen e L.Z. Së pari, është detyrim moral edhe social të tregojmë të vërtetën edhe në situata të pakuptimta të sajuara deri diku nga hidhërimi i vajzës së të ndjerit”, shprehet Spitali.

“Në datë 27 dhjetor nëpërmjet telefonatës drejt 127, L.Z është transportuar drejt spitalit me ambulancën e urgjencës, ku bashkë me të ndjerin ishte shoqëruese edhe e bija. Po në atë datë, ku mjeku i urgjencës triazhon rastin, ka kërkuar të komunikojë me vajzën, por ajo është larguar nga spitali pa lënë asnjë të dhënë.

I ndjeri, me asistencë mjekësore në gjendje të rëndë (sqarojmë këtu që ishte i patrajtuar) niset drejt Spitalit Covid 1. Vetëm në mars, pra shumë kohë më pas, e bija ka kërkuar informacion për të atin me pretendimin që ajo ka bërë aksident me motor ditën që e ka sjellë atë në urgjencë edhe u largua pa pritur as përfundimin e vizitës mjekësore si dhe pa lënë numër kontakti”, thekson Spitali.

Sipas deklaratës së Spitalit, në të dhënat e spitalit po atë ditë s’ka asnjë të regjistruar për aksident edhe për më tepër nuk figurojnë të dëmtuar që kërkojnë asistencë edhe hospitalizim për të vërtetuar pretendimin se ajo është aksidentuar dhe nuk ka qenë në gjendje për të lëvizur.

Po ashtu, thuhet në njoftim, nga regjistrat e reparteve nuk ka asnjë ditë shënime që familjarë të tjerë kanë sjellë ushqime (e bija e pohon që s’ka sjellë ajo vetë për shkak të aksidentit) dhe aq më tepër të kërkojnë informacion mjekësor për Zeqirin.

“Zeqiri në muajin mars, pra shumë kohë pas dhjetorit, është sqaruar edhe pajisur me fletën e daljes nga Spitali Rajonal Vlorë për të ndjerin, ku është sqaruar që i ati ka qëndruar vetëm dy orë, brenda të cilave i është dhënë ndihma e parë dhe është pajisur me ekzaminime mjekësore dhe është transferuar drejt Spitalit Covid 1, ku siç bëhet edhe me dije ka humbur jetën”, theksohet në njoftim.

Spitali rajonal i Vlorës shprehet se, “në emrin e personelit mjekësor kërkojmë ndjesë për komunikimin aspak etik të personelit mbështetës, në rastin në fjalë shoferi i ambulancës. Sigurojmë që situata të tilla nuk duhet të ndodhin për asnjë arsye”.

“Kërkojmë nga ana e organeve kompetente hetimin edhe transparencën e rastit duke treguar të vërtetën rreth kësaj ngjarje duke vënë në dispozicion çdo të dhënë transparente nga ana e Spitalit Rajonal Vlorë”, thuhet në njoftim.

/a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.