“Pritet të nisë vaksinimi masiv i popullatës”/ Brataj apel politikanëve: Zbatoni masat antikovid

TIRANË, 24 mars/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare në Shqipëri, Skënder Brataj bën të ditur se shumë shpejt pritet të nisë vaksinimi masiv i popullatës.

Brataj iu referua marrëveshjes që pritet të përmbyllet përgjatë vizitës së kryeministrit Rama në Turqi.

“Ajo do të jetë vaksina kineze e prodhuar nga Coronavac. Do të nis vaksinimi masiv. Do të vijë në afate kohore periodike, si ‘Pfizer’ që vjen çdo javë apo ‘AstraZeneca’ po ashtu që do të vazhdojë sipas programit. Dhe Sputnik 5 që erdhi si dhuratë. Kemi njoftime që ka marrëveshje dhe tratativa me prodhues të autorizuara. Jam optimist për faktin e ardhjes se vaksinave të tjera, ç’ka do të bëjë që gjërat të ndryshojnë për mirë”, tha ai gjatë një interviste në medie.

Kreu i Urgjencës Kombëtare tha se modeli i orarit të mbylljes ka funksionuar dhe ndaj u ra dakord që të mbeten në fuqi të njëjtat masa.

Më tej Brataj apeloi politikanët për respektimin e protokolleve të përcaktuara nga autoritetet për parandalimin e përhapjes së COVID-19, pasi siç theksoi ai luhet me shëndetin e njerëzve.

“Gjithë fushatës do luhet me shëndetin e njerëzve. Të gjitha do të luajnë, sepse çdo parti synon sa më shumë mandate. Ndiqni online. Ta bëjnë debatin nëpër studio, sepse publiku vlerëson më së miri”, deklaroi ai.

Brataj informoi qytetarët mbi rrugën që duhet të ndjekin në rast se ndjejnë shqetësime pas vaksinimit ndërsa deklaroi se deri tani ka shumë pak kontroindikacione nga vaksina.

“Unë e bëra vaksinën. Ndjeva dhimbje të krahut. Ai që ndihet keq, pavarësisht nga vaksina apo sëmundja, merr në telefon tek 0800-ta. Njerëzit marrin në telefon, kur kanë simptoma. Kur kanë lodhje, dhimbje e temperaturë, janë normale për një vaksinë. Sa herë bëhet vaksina, organizmi përgjigjet, krijon antitrupa që ta izolojë. Ka shumë pak kontroindikacione nga vaksina”, theksoi Brataj.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.