Fushata zgjedhore/ Rakacolli: Po u zbatuan masat antikovid, nuk rrezikohet shtim i rasteve të infeksionit

TIRANË, 24 mars/ATSH/ “Vendi po hyn në fushatën zgjedhore dhe eksperienca e vendeve që kanë kryer proces zgjedhor në pandemi ka treguar bindshëm se në zbatim të masave të marra nuk ka pasur shtim të numrit të infeksioneve”.

Kështu deklaroi sot kryetarja e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli në konferencën lidhur me situatën dhe masat për përballimin e pandemisë.

“Përveç zgjedhjeve që janë bërë vitin e kaluar, në vitin 2021 janë bërë zgjedhje në Portugali, Kosovë, në dy lande të Gjermanisë, Katalonjë të Spanjës etj. Shifrat kanë treguar që kur masat janë zbatuar ashtu siç kanë rekomanduar autoritetet shëndetësore nuk ka pasur asnjë tendencë të shtimit të numrit të infeksioneve”, – tha Rakacolli.

Rakacolli u shpreh se, “i ftojmë qytetarët të vazhdojnë të respektojnë masat e rekomanduara nga autoritetet siç është vendosja e maskave në ambientet ku janë të rekomanduara, respektimi i distancimit fizik, i distancimit social, ndalimi i grumbullimeve për çfarëdolloj arsye në mënyrë që së bashku me intensifikimin në vijimësi të vaksinimit ku synojmë të vaksinojmë çdo ditë 12-15 mijë qytetarë të vazhdojmë të kemi një ulje të numrave dhe indikatorët që do të vijnë nga kjo ulje e numrit të na sugjerojnë edhe një lirim të masave”.

/k.s/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.