Zgjedhjet e 25 prillit/ Noka: Askush nuk duhet ta tjetërsojë votën e shqiptarëve

TIRANË, 23 mars/ATSH/ Kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Flamur Noka, deklaroi sot se “shenjtëria e votës është e patjetërsueshme dhe se askush nuk duhet ta mendojë të tjetërsojë votën e shqiptarëve”.

Në një intervistë televizive Noka theksoi se “loja me votën është lojë me kokën. Kjo ka qenë ëndrra e çdo shqiptari në vitin 1990 që është ngritur për të rrëzuar pushtetin, për të institucionalizuar demokracinë dhe institucionalizimi i demokracisë është vota e lirë. Vota do mbrohet në çdo rrethanë, me çdo kusht dhe çdo mjet”.

Sipas tij, historia e trysnimit të qytetarëve nga krimi dhe mafia merr fund më 25 prill.

Noka theksoi se “lufta kundër krimit apo kundër mafies është vullnet politik dhe vullneti politik është deviza përfundimtare. Nuk ka pasur kurrë një polici më të inkriminuar se kjo që kur është themeluar shteti shqiptar, më të korruptuar dhe më të politizuar se kjo”.

“Sot për fat të keq kjo polici është më e shkatërruar se kurrë. Ajo që i bie barrë opozitës së sotme dhe qeverisjes së nesër reformimi rrënjësor i Policisë së Shtetit”, – tha Noka./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.