“Trevë me vlera të rralla”/ Meta pret përfaqësinë e shoqatës “Ishmi”

TIRANË, 23 mars /ATSH/ “Vlerat e rralla historike, arkeologjike dhe kulturore të Ishmit burojnë nga lashtësia, ndaj ne ndihemi krenarë për gjithçka që kjo trevë përfaqëson për qytetërimit tonë”, deklaroi sot Presidenti i Republikës, Ilir Meta, i cili priti me kërkesë të tyre, një përfaqësi të Shoqatës “Ishmi”.

“Ishmin e ka bekuar Zoti me pasuri të jashtëzakonshme natyrore, por meriton më shumë vëmendje e mbështetje me qëllim zhvillimin e qëndrueshëm dhe ndalimin e shpopullimit nga të rinjtë”, tha Meta.

“Për të ndarë ide të çmuara me qëllim dhënien e shkëlqimit të merituar të kësaj treve, prita sot me kërkesë të tyre, një përfaqësi të nderuar të Shoqatës “Ishmi”, shtoi Meta.

“I falënderova për kontributin e vyer të dhënë në veçanti në ndihmë të qytetarëve në nevojë të prekur nga pandemia dhe tërmeti, si dhe për përpjekjet e palodhura për mbrojtjen e vlerave dhe traditave të Ishmit”, theksoi Meta.

“I dëgjova me shumë kujdes dhe i mbajta shënim të gjitha propozimet e tyre për zhvillimin e zonës, nga mbrojtja e pronave, pasurive natyrore dhe mjedisit, tek ideja interesante për çeljen e kurseve profesionale periodike në fushën e turizëm-hotelerisë, si një mundësi për të ndaluar largimin e të rinjve dhe deri tek propozimi për krijimin e tregjeve me produktet e shëndetshme bio të zonës”, u shpreh Meta.

“Zëri i banorëve të Ishmit, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë duhet të dëgjohet nga të gjithë. Vetëm në këtë mënyrë mund të rikthehet shpresa, të ndalet shpopullimi dhe të garantohet zhvillimi që meriton Atdheu ynë i përbashkët”, tha Meta.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.