Ndryshimet ligjore të 10 ligjeve të Reformës në Drejtësi/ Manja: Garantojnë funksionimin e sistemit

TIRANË, 23 mars /ATSH – I. Vata/ Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, Ulsi Manja deklaroi sot në seancën e Kuvendit ku votohen disa shtesa dhe ndryshime në 10 ligje të reformës së sistemit të drejtësisë, se ndryshimet ligjore të propozuar përmes kësaj pakete vijnë si rezultat i një sërë problematikash.

“2 vite e pak nga filli i punës së institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë dhe 3 vite nga vendimi i parë i komisioneve të Vetingut sot do të votojmë disa shtesa dhe ndryshime në 10 ligje të reformës së sistemit të drejtësisë. Ndryshimet ligjore të propozuar përmes kësaj pakete vijnë si rezultat i një sërë problematikash të evidentuara gjatë zbatimit në praktikë të ligjeve në fuqi nga ana e organeve gjyqësore, problematika të cilat janë adresuar pranë organeve qeverisëse të sistemit të Drejtësisë, përkatësisht, Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë”, u shpreh Manja.

“Nga ana tjetër procesi i Vetingut ka ndikuar gjerësisht në krijimin e vakancave në sistemin e gjykatave duke sjellë për pasojë rritjen e ngarkesës së punës dhe detyrave të gjyqtarëve pjesë e sistemi gjyqësor”, tha Manja.

Ai tha se 10 projektligjet që do të miratohen sot janë të karakterit procedurial, por pjesë e këtyre ndryshimeve është Kodi Penal, Kodi i Procedurës Civile dhe Kodi i Procedurës Penale.

“Konkretisht, paketa prej 10 ligjeve që do votojmë sot përfshin ligjin për pushtetin gjyqësor, ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ligjin për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë, ligjin  për SPAK, Kodin Penal, ligjin për Policinë Gjyqësore, Kodin e Procedurës Civile, Kodin e Procedurës Penale, dhe ligjin për gjykata administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative”, tha ai

Manja argumentoi se qëllimi i këtyre ndryshimeve përmirëson institucionet e rëndësishme të drejtësisë.

“Së pari, janë ndryshimet për të shmangur bllokimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial për shkak të procesit të vetingut. Së dyti, nevoja për qartësim të neneve ekzistuese të caktuara  në ligjet ekzistuese dhe harmonizimi e tyre me rekomandimet e Komisionit të Venecias. Së treti, uljen e stokut të dosjeve të pashqyrtuara në Gjykatën e Lartë dhe rritjen e shpejtësisë së gjykimit brenda afateve në Gjykatën e Apelit, siç përcaktohen në kodin procedurial. Së katërti, uljen e ngarkesës së SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme dhe BKH-së duke u fokusuar në misionin që u ka ngarkuar Kushtetuta dhe ligji për krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivel të larta të Administratës Publike dhe të politikës. Së pesti, forcimin e kapaciteteve ligjore në Prokurorinë e Përgjithshme duke krijuar Njësinë e Ndihmës Ligjore, pranë Prokurorisë së Përgjithshme dhe duke unifikuar këtë zyrë me atë që ka sot Gjykata e Lartë. Së gjashti, përmirësimin e skemës së trajtimit financiar të magjistratëve, në veçanti të SPAK dhe BKH. Së shtati, në forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e numrit të magjistratëve në Shkollën e Magjistraturës”, parashtroi ai.

“Si qëllim final këto ndryshime kanë garantimin e funksionimit të sistemi gjyqësor, rritjen e eficiencës, efektshmërisë dhe administrimit të sistemit të drejtësisë që qytetarët të marrin drejtësinë  re që meritojnë”, tha Manja.

/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.