KQZ/ Vendoset regjistrimi i listës shumëemërore të koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim

TIRANË, 23 mars /ATSH/ Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi sot regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim, sipas listës së depozituar në datën 16 mars 2021 pranë KQZ-së.

Komisioni Ankimimeve dhe Sanksioneve shqyrtoi sot kërkesën ankimore nr. 05, të depozituar nga subjekti zgjedhor PD-Aleanca për Ndryshim, me objekt “Kundërshtimin e vendimit nr. 156, datë 17.03.2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca Për Ndryshim, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021”.

Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi pranimin e kërkesës së koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim dhe ndryshimin e vendimit nr. 156, datë 17.03.2021 të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve “Për shqyrtimin e kërkesës për regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca Për Ndryshim, për zgjedhjet për Kuvend të datës 25 prill 2021”.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve vendosi regjistrimin e listave shumemërore të koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim, sipas listës së depozituar në datën 16 mars 2021 pranë KQZ-së.

PD dorëzoi pas korrigjimit të listave më shumë kandidatë se herën e parë, dhe KQZ ia shkurtoi me pretendimin se lejohen deri në 153 kandidatë ndërsa PD kishte dorëzuar mbi 200.

Edhe në seancën e sotme PD nëpërmjet sekretarit për zgjedhjet, Ivi Kasi kërkoi që lista të regjistrohet e plotë pasi cenohen të drejtat e kandidatëve, partive politike dhe koalicionit në tërësi.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.