COVID-19/ Brataj: Situata normale, vera do të jetë më e qetë; Vaksina AstraZeneca efikase

TIRANË, 23 mars/ATSH/ Drejtori i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj tha sot se, “në këtë moment numrat e personave të infektuar me COVID-19 janë të kontrollueshëm dhe njerëzit janë të vetëdijshëm mbi sëmundjen, profesionistët po ashtu”.

Në një intervistë televizive Brataj tha se, “rastet e lehta dhe të mesme trajtohen nga mjeku i familjes, i urgjencës dhe specialistët në vazhdimësi. Edhe format e rënda deri sa vazhdojnë të kenë atë frikën e sëmundjes e të spitalit, mosbesimi karshi spitalit nga ky lumë informacionesh i ka frenuar disi, por realiteti duhet analizuar më mirë dhe të jemi të kujdesshëm”.

Lidhur me situatën në spitale, Brataj tha se, “situata është më se normale me këto numra, më keq ishte periudha e nëntorit sesa e shkurtit. Në këtë moment është normale me 399 të shtruar nga 600 e ca që ishte numri i të sëmurëve në spitalet COVID”.

Sipas tij, me këto numra jemi disi të qetë me kontrollin e pandemisë.

Lidhur me vaksinën “AstraZeneca”, Brataj tha se “kjo vaksinë e ka treguar efikasitetin dhe sigurinë. Refuzimet janë për shkak të mosdijes. Është verifikuar që nuk ka asnjë lidhje të trombozave me të. Është i njëjti numër trombozash kur nuk bëhej vaksina, nuk ka asnjë rritje”.

Kreu i Urgjencës Kombëtare Mjekësore, Skënder Brataj, tha se vera do të jetë më e qetë për të gjithë sa i përket përballjes me COVID.

“Është e rëndësishme është që të ecet para me vaksinimet. Shpresoj që brenda këtij viti do të ketë sasi më të madhe vaksinash. Duke parë shkallën e infeksionit, numrin e vaksinave dhe kohën drejt verës mendoj se do të jetë vera më e lehtë, më e thjeshtë për ne. Nga shtatori ne do të kemi kryer një numër më të madh vaksinimi. Idealja është 2 milionë e 200 mijë doza për qytetarët, duke përjashtuar ata poshtë moshës 18 vjeç, gjë që nuk e shikoj të parealizueshme”, – tha Brataj.

/k.s//a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.