BRUKSEL – KE synon rishikimin e mekanizmit të autorizimit të eksportit të vaksinave

BRUKSEL, 23 mars /ATSH-ANSA/ – Komisioni Europian do të miratojë nesër një rishikim të mekanizmit të autorizimit dhe transparencës për eksportin e vaksinave, njoftoi sot zëdhënësi i ekzekutivit të BE-së, Eric Mamer.

“Rishikimi i mekanizmit të BE-së për transparencën dhe autorizimin e eksportit të vaksinave do të prezantojë parimet e reciprocitetit dhe proporcionalitetit midis elementeve që do të vlerësohen për eksportin europian”, tha Mamer.

Ndër pikat e tjera, që duhet të merren në konsideratë për t’i dhënë dritën jeshile eksporteve, do të jetë gjithashtu progresi i imunizimeve në vendin e destinacionit të dozave dhe nëse kompania farmaceutike po respekton kontratat e përcaktuara me BE-në.

“Ne shohim shumë kufizime në eksportin e dozave të vaksinave në Bashkimin Europian, kemi nevojë për reciprocitet dhe proporcionalitet. Ne nuk duam të vendosim ndalime për eksportet nga BE, por partnerët e tjerë ndërkombëtarë duhet të tregojnë hapje të njëjtë me të tonën dhe kompanitë farmaceutike duhet të respektojnë kontratat”, shtoi zëvëndëspresidenti i KE, Maros Sefcovic, në fund të videokonferencës së Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme.

Sefcovic sqaroi se BE ka eksportuar 41,5 milionë doza në 33 vende, por e njëjta gjë nuk është bërë ndaj 27 vendeve anëtare të bllokut, duke theksuar se BE kërkon pjesën që i takon me të drejtë./ /ervo/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.