“Nderi i Kombit” për gjeneralbrigade Ndriçim Sallaku/ Meta: Ushtarak model karriere

TIRANË, 22 mars/ATSH/ Presidenti Ilir Meta zhvilloi sot homazhe në nderim të gjeneralbrigade Ndriçim Sallaku, i cili humbi betejën me COVID-19.

“Gjeneralbrigade Ndriçim Sallaku, një personalitet i jashtëzakonshëm, ushtarak model dhe i shkëlqyer karriere, i cili gjithmonë spikati për integritetin dhe vlerat e larta njerëzore e profesionale në shërbim të ushtrisë shqiptare, si dhe për humanizmin e dëshmuar ndaj qytetarëve në nevojë, cilësi që i shfaqi edhe gjatë përballimit të situatave të vështira të përmbytjeve dhe tërmetit”, vlerësoi Meta.

Meta tha se “kam pasur fatin t’i njoh nga afër aftësitë e tij drejtuese dhe organizative për mbi tre dekada angazhim në Forcat e Armatosura, së fundmi edhe në detyrën e rëndësishme të Komandantit të Komandës Mbështetëse”.

“I paharruar kujtimi dhe vepra e çmuar e Gjeneral Brigade Ndriçim Sallakut”, tha ai.

Presidenti i akordoi gjeneralbrigade Ndriçim Sallakut, dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”.

“Në vlerësim të veprës së çmuar e të gjithanshme si një ushtarak model dhe i shkëlqyer karriere, për modernizimin e Forcave të Armatosura shqiptare dhe me mirënjohje shtetërore për vlerat atdhetare e njerëzore, që shpalosi gjatë veprimtarisë së tij akademike dhe shkencore, si dhe ndaj kontributit të qenësishëm në zhvillimin, lartësimin dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të ushtarakëve tanë në uniformë, duke u shërbyer me dinjitet dhe krenari demokracisë e vlerave të paqes në radhët e Aleancës së NATO-s, pata privilegjin t’i akordoj sot dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, gjeneralbrigade Ndriçim Sallakut”, njoftoi Meta.

/m.m/j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.