Kalimi në linja të reja prodhimi/ Instrument garancie prej 50 milionë eurosh për industrinë fason

TIRANË, 22 mars/ATSH/ Vështirësitë e krijuara për shkak të pandemisë së shkaktuar nga virusi Sar-Cov-2, kanë goditur industrinë fason, pasi shumica e bizneseve që operojnë në këtë sektor kryejnë vetëm një cikël të caktuar të punës.

Në këto kushte lind domosdoshmëria e ndryshimit të modelit të të punuarit, për të ofruar avantazhe konkurruese në ekonominë e vendit, përtej krahut të lirë të punës.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj bëri të ditur gjatë prezantimit të “Planit të veprimit 2021-2025”, se do të krijohet instrumenti i garancisë prej 50 milionë eurosh për manifakturën për të përballuar kostot e ndërrimit dhe kalimit në linja prodhimi të reja.

Ndërkohë në përgjigje të situatës së krijuar qeveria krijoi 2 paketa financiare si mbështetje sociale për qytetarët dhe bizneset.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, rreth 300 mijë qytetarë kanë përfituar nga dy masat mbështetëse të akorduara nga qeveria së pjesë e paketës financiare në situatën e krijuar prej infeksionit COVID-19.

Paketa e parë kishte në fokus mbështetjen për biznesin e vogël dhe qytetarët duke ofruar ndihmë financiare për të punësuarit në subjektet e biznesit me të ardhura vjetore deri 14 milionë lekë, për periudhën pas ndërprerjes së aktivitetit ekonomik, duke përfshirë personat fizikë të vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes të personit fizik tregtar, të punësuarit në personat fizikë tregtarë, të punësuarit në personat juridikë. Po ashtu u bë dyfishimi i pagesës për individët që përfitojnë pagesë të ndihmës ekonomike si dhe dyfishimi i pagesës për individët që përfitojnë pagesën e të ardhurës nga papunësia.

Paketa e dytë kishte në fokus mbështetjen për sipërmarrjen dhe punëmarrësit duke siguruar subvencionim për punonjësit e larguar dhe ata aktualë në bizneset me të ardhura mbi 14 milionë lekë të mbyllur nga urdhërat e MSHMS-së, subvencionim të pagës së luftës për punonjësit e strukturave akomoduese në sektorin e turizmit, mbështetje për punonjësit e rafinerisë së Ballshit (punonjës me pagë nën 100 mijë lekë/muaj) si dhe ndihmë financiare për aplikuesit e ndihmës ekonomike, të cilët rezultuan aplikues dhe nuk ishin përzgjedhur nga sistemi i pikëzimit të ndihmës ekonomike.

Qeveria po ashtu vuri në dispozicion të sektorit privat dy instrumente të garancisë sovrane me një vlerë totale prej 26 miliardë lekë për zbutjen e goditjeve që ka shkaktuar pandemia te bizneset. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.