Hysi takon përfaqësues të Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës

TIRANË, 22 mars /ATSH – I. Vata/ Nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi u takua sot me me përfaqësues të  Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës Xavier Cadoret, President i Dhomës Vendore, Carla Dejonghe, përfaqësuese e Dhomës së Rajoneve, André Roux, ekspert mbi Kartën Europian të Vetëqeverisjes Vendore dhe  Svitlana Pereverten nga Sekretariati i Komitetit të Monitorimit.

“Diskutuam mbi rolin e Kuvendit të Shqipërisë, mes ushtrimit të funksionit legjislativ, kontrollit parlamentar dhe miratimit të buxhetit, në ecurinë e procesit të decentralizimit dhe zbatimit të reformës territoriale administrative, ofrimin e shërbimeve për qytetarët aty ku ata banojnë”, u shpreh Hysi.

“Pandemia e shkaktuar nga COVID- 19 dhe ndikimi i saj te buxhetet e organeve të qeverisjes vendore, gratë, dhuna në familje dhe shërbimet ndaj grave ishin një temë diskutimi me përfaqësuesit e Kongresit të Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës”, tha Hysi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.