Basha takon zv.kryeministrin e parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut: Do vijojmë “Korridori 8”, Shkup-Qafthanë

TIRANË, 22 mars /ATSH – I. Vata/ Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka pritur sot në në selinë e Partisë Demokratike zëvendëskryeministrin e parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi.

“Pata kënaqësinë të dëgjoj nga zëvendëskryeministri Grubi disa prej avancimeve kuptimplota në rrafshin e përfaqësimit politik të  shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut sikundër edhe  angazhimin e qeverisë, e në veçanti forcave politike shqiptare për projektet e përbashkëta të cilat do të shkojnë kah forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar mes dy vendeve tona me impakt të drejtpërdrejtë  tek punësimi dhe tek mirëqenia e qytetarëve tanë. Ku përfshihen projekte që i kam patur përzemër dhe që kanë avancuar deri diku siç është “Korridori 8”. Kanë mbetur në Elbasan, por e sigurova zëvendëskryeministrin që do të vazhdojë deri në lidhjen me territorin e Maqedonisë së Veriut ndërkohë që u gëzova kur mësova se po kështu po ndërmerren hapa  për të plotësuar segmentet që mungojnë në Korridorin Shkup-Qafthanë”, theksoi Basha.

“Tema që unë e konsideroj kryesore, qendrore e këtij takimi është procesi i regjistrimit në  Maqedoninë e Veriut, censusi. Proces i cili ndryshe nga censusi në Shqipëri apo diku tjetër lidhet drejtpërdrejt me të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Që do të thotë që një regjistrim i saktë në veçanti  i qytetarëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut në emigracion, të mërgatës është jashtëzakonisht i rëndësishëm për të reflektuar pastaj të gjitha detyrimet që burojnë pastaj nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut, nga  marrëveshja e Ohrit. Pra për të reflektuar ato që  ndikojnë drejtpërdrejt jetën e  bashkëkombasve tanë.”, tha ai.

Nga ana e tij, zëvendëskryeministri i parë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artan  Grubi falënderoi kryetarin e PD-së Basha.

“Unë dhe të gjithë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut jemi shumë mirënjohës për kohën e ndarë dhe në veçanti për këto fjalë të thëna para medieve publikisht duke apeluar deri tek mërgata jonë që të regjistrohet në procesin e regjistrimit të këtij viti. Ndryshe nga regjistrimet në vendet e tjera, procesi i censusit në Maqedoni të Veriut është një operacion jo vetëm statistikor por edhe politik për arsye se të drejtat e shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera varen nga përqindja me të cilën janë të përfaqësuar ata në numrin total të popullatës. Andaj dhe është i një rëndësie të jashtëzakonshme dhe prandaj vizitova Kosovën, sot jam këtu me liderët e Shqipërisë që bashkarisht të bëjmë apel drejtuar mërgatës sonë që të regjistrohet. Uroj që qytetarët shqiptarë të kenë mundësinë që në mënyrë të lirë, të drejtë demokratike, të shprehin vullnetin e tyre politik në zgjedhje shembullore dhe bashkërisht Shqipëria me Maqedoninë e Veriut të hapin dyert për integrim në Bashkimin Europian që në Këshillin e Bashkimit Europian në muajin qershor”, tha Grubi.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.