TIRANË, 22 mars/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka publikuar librin e tij “Misioni im”, të cilin e cilësoi si letër të hapur drejtuar gjithë shqiptarëve.
Basha tha, ideja dhe dëshira për të shkruar një libër i ka lindur që kur ishte 10 vjeç.
“Në politikë të jepet mundësia të përballesh me lloj-lloj përvojash dhe kjo të fal shumë emocione, të fal shumë adrenalinë, e natyrisht të pajis me një përvojë të rrallë do të thoja, por për mua kjo është hera e parë, nuk kam patur një përvojë të tillë përpara. Sigurisht kam ndjekur nganjëherë edhe nga afër siç kemi sot audiencë studentësh këtu në Qytetin Studenti prezantime librash apo monografish, por nuk kam qenë kurrë i ulur krah këtij botuesi duke prezantuar një libër të timin”, tha Basha.
“Sigurisht do isha i pasinqertë t’ju thoja që nuk e kam menduar, në fakt e kam menduar që 10 vjeç. Dëshira e parë ka qenë të shkruaja dhe ky frymëzim vinte edhe nga anëtarë të rrethit të ngushtë familjarë që janë shkrimtarë apo ishin shkrimtarë, sepse janë ndarë nga jeta, dhe dashuria ime për letërsinë, për librin është… daton që nga fëmijëria e hershme. Në mendimin e parë duhet ta kem lexuar diku në moshën pesë apo gjashtë vjeç dhe bashkë me të m’u hap një botë e tërë e cila ma ngacmonte dhe ma ngacmon fantazinë, imagjinatën si asnjë art tjetër i lëvruar”, – shtoi Basha.
“Shpeshherë debatoj me miq, apo debatonim se gjërat kanë ndryshuar tani me angazhimin politik, nëse një pjesë teatrale apo realizim kinematografik do të arrijë ndonjëherë të përmbushë nivelet e letërsisë dhe me ndonjë përjashtim të rrallë të gjithë biem dakord që libri është gjithmonë superior. Pse? Sepse libri bënë të mundur që autonomia, individualiteti, autenticiteti i individit ti japë përmes përmasave të fantazisë çdo libri një interpretim unik. Nejse, thjesht dhe shkurt po i bie rreth e qark për të thënë që është një ditë me emocion për mua. Një emocion të disafishtë”, – vijon Basha.
“Së pari, sepse ndodhem këtu me një libër përpara që ka autorësinë time dhe që sot po e prezantojmë. E dyta, ka të bëjë me të sotmen, është 22 Marsi. Është 22 marsi 29 vjet pas fitores së demokracisë. Një ditë e cila më kujtohet në detaje pothuajse orë për orë dhe ju betohem, që nganjëherë ndodh që edhe çfarë ka ndodhur para 3 apo 4 ditësh ke vështirësi ta kujtosh në detaje, por 22 marsin e ’92-it unë e kujtoj orë për orë. Jam përpjekur një pjesë të kësaj ta shpjegoj edhe në këtë libër. Pse dhe nga cilat pozita e kam parë 22 marsin e ’92-it, ditën e fitores së demokracisë, ditën kur edhe Shqipëria iu bashkua vendeve të tjera të ish-Lindjes komuniste që hodhën tej diktaturën dhe nisën rrugëtimin drejt pluralizmit, drejt hapjes, drejt respektit për njeriun, për individin, për dinjitetin individual”, – vijon Kreu i PD.
“Pra është 22 marsi dhe jemi në Qytetin Studenti ku nisi rrugëtimi që çoi drejt 22 Marsit. Ndaj nuk ka vend më të mirë dhe audiencë më të mirë për ta nisur prezantimin e këtij libri sesa këtu te Qyteti Studenti me studentët e 21. Duke ju kujtuar se ishin studentët e ’90-ës ata që i dhanë jetë lëvizjes dhe më vonë Partisë Demokratike dhe 22 Marsit ’92, ku Partia Demokratike bashkë me aleatët e saj i dha fund monopolit të diktaturës dhe hapi një sipar, hapi një rrugëtim tashmë 30-vjeçar të Shqipërisë drejt asaj që përbënte në mënyrë të natyrshme edhe thelbin, esencën e asaj që na ngriti në këmbë, ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa. Një thirrje që askush nuk na e diktoi, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Askush sot nuk është në gjendje të na thotë kush e tha për herë të parë”, – kujtoi Basha.
“Si buçoi kjo thirrje? E cila vazhdon të jetë një amanet i papërmbushur, por edhe një dëshirë që na bashkon si shqiptarë pavarësisht prej moshës, bindjeve politike, prejardhjes ekonomike apo sociale. Pra, për mua është një emocion i trefishtë. E para, që jam këtu në një pozitë të pazakontë, unike për mua deri tani, ndërkohë që përvoja politike e këtyre viteve ka lënë pak gjëra pa provuar ose pothuajse aspak në kuptimin e angazhimit publik”, theksoi ai.
“Dua me dy fjalë t’ju them që libri është një letër e hapur në thelb. Nuk është një rrëfim autobiografik, siç e tha Flutura me të drejtë, ndoshta mund të kishte qenë edhe më i pasur me detaje personale. Ndonëse në këndvështrimin tim edhe natyrën time, ka goxha bile në një moment tjetër do thoja ka më shumë se ç’duhet duke patur parasysh natyrën time. Por nuk është një rrëfim autobiografik, nuk është as thjesht një përkthim i programit tonë politik, i planit tonë për ta nxjerrë Shqipërinë nga kriza, sepse edhe për faktin e thjeshtë se libri ka nisur të ravijëzohet kohë përpara nxehjes së motorëve elektoralë, por është një letër e hapur drejtuar shqiptarëve, në veçanti rinisë, për një angazhim të drejtpërdrejtë në politikë, për një pjesëmarrje në jetën publike si rruga e vetme për të siguruar ndryshimin, si rruga e vetme për të siguruar atë që duam”, – nënvizoi Basha.
/r.e/
