Ambasadorja Kim: Miqësia midis amerikanëve dhe shqiptarëve vetëm do të thellohet

TIRANË, 22 mars/ATSH/ Në kuadër të 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA, ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, deklaroi se të dyja vendet janë mbështetur tek njëri-tjetri për çdo katastrofë natyrore. Ajo tha se është privilegj të punosh si diplomate e SHBA kudo në botë, por Shqipëria është e veçantë.

Ambasada amerikane në Tiranë ka sjellë gjatë këtyre ditëve mesazhe nga ish-ambasadorë amerikanë në vendin tonë.

Në mesazhin e saj, ambasadorja Kim thekson se “që nga momenti kur mbërrita, kam ndjerë ngrohtësinë e popullit shqiptar dhe lidhjen e thellë që ekziston midis dy vendeve tona”.

“Nuk ka amerikan që viziton Shqipërinë dhe nuk e përjeton atë. Gjatë vitit tim të parë këtu kam pasur mundësinë të udhëtoj përreth vendit tuaj të bukur dhe të përjetoj mikpritjen e famshme të popullit shqiptar. Faleminderit nga thellësia e zemrës”, u shpreh ajo.

“Dy vendet tona kanë shumë për të festuar së bashku. Dhe qoftë për katastrofa natyrore, COVID, apo kërcënime ndaj demokracisë, ne jemi mbështetur tek njëri-tjetri, kemi punuar së bashku për të kapërcyer sfida të panumërta, krah për krah! Kjo është një marrëdhënie që mishëron atë që do të thotë të jesh partnerë, çfarë do të thotë të jesh aleatë, çfarë do të thotë të jesh miq besnikë. Jam e bindur se vendet tona do të arrijnë gjëra të mëdha gjatë 30 viteve të ardhshme dhe se miqësia midis amerikanëve dhe shqiptarëve vetëm do të thellohet”, – tha Kim. /j.p/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.