Ndahet nga jeta gjeneralbrigade Ndriçim Sallaku/ Peleshi: Bashkëpunëtor i spikatur

TIRANË, 20 mars/ATSH/ COVID-19 i ka marrë jetën komandantit të Komandës Mbështetëse, gjeneralbrigade Ndriçim Sallaku.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, u shpreh në një mesazh se Sallaku fitoi çdo sfidë ku shërbeu në Forcat e Armatosura.

“Nuk kam fjalë për ndarjen e papritur nga jeta të komandantit të Komandës Mbështetëse, gjeneralbrigade Ndriçim Sallaku”,- u shpreh Peleshi.

“Në kaq pak kohë në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneral Sallaku tregoi se ishte një ndër bashkëpunëtorët më të spikatur, me një sens të jashtëzakonshëm ndjeshmërie për komunitetin, të cilën e tregoi edhe gjatë përmbytjeve të fundit në Nënshkodër dhe Katund të Ri”, vijoi ministri Peleshi.

“Gjeneral Sallaku fitoi çdo sfidë ku shërbeu në Forcat e Armatosura, por fatkeqësisht humbi betejën me COVID-19. Do të kujtojmë përgjithmonë Gjeneral!”,-  mbyll mesazhin e tij  ministri Peleshi.

Meta: Mbi tre dekada angazhim për modernizimin e ushtrisë shqiptare

“Shumë dhembje e trishtim për ndarjen e parakohshme nga jeta të gjeneralbrigade, Ndriçim Sallaku, profesionistit të përkushtuar të Forcave tona të Armatosura, i cili humbi betejën me COVID-19”, u shpreh presidenti Ilir Meta.
“Për mbi tre dekada angazhim për modernizimin e ushtrisë shqiptare, ai shërbeu si rrallëkush nën uniformë duke spikatur për aftësitë e tij drejtuese dhe organizative, së fundmi edhe në detyrën e rëndësishme të Komandantit të Komandës Mbështetëse, ku dëshmoi gjithashtu vlera të larta humanizmi në përballimin e situatave të vështira të përmbytjeve, në ndihmë të qytetarëve në nevojë”, vijoi Meta.
“Në memorien e Forcave tona të Armatosura, vepra e gjeneralbrigade, Ndriçim Sallaku do të kujtohet gjithmonë me respekt e mirënjohje”, tha presidenti Meta.
Xhaçka: Faleminderit për modelin e ushtarakut të mirë e të drejtë
Ministrja Për Europ dhe Punët e Jashtme, ish-ministre e Mbrojtjes, Olta Xhaçka shprehu po ashtu ngushëllime për humbjen e gjeneralbrigade Ndriçim Sallaku.

 

“Njerëzit si ti gjeneral Sallaku, janë të rrallë: energjikë, të kudogjendur, pozitivë përballë çdo situate. Na dhemb të gjithëve humbja jote sot, Majlindës e fëmijëve të shtrenjtë, ne që patëm fatin të ndajmë me ty ditë, muaj e vite pune të vështira apo të bukura. Do mungosh në Komandën Mbështetëse dhe të gjithë Forcën e Armatosur, me korrektësinë e përgjegjshmërinë tënde e mbi të gjitha me përkushtimin ndaj njerëzve e jetës. Mirënjohëse për shërbimin gjeneral”, tha Xhaçka.

“Faleminderit për modelin e ushtarakut të mirë e të drejtë”, theksoi ajo.
Ambasadorja Kim: Patëm nderin ta njohim këtë patriot 

 

Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim u shpreh e tronditur për ndarjen para kohe nga jeta të gjeneralbrigade Ndriçim Sallakut.

“Jam thellësisht e trishtuar dhe e tronditur nga vdekja e gjeneral Ndriçim Sallakut.  Unë dhe shumë amerikanë të tjerë patëm nderin ta njohim këtë patriot dhe të punojmë me të për të forcuar partneritetin. Ai u largua shumë herët nga kjo jetë. Ne i shprehim ngushëllimet më të thella familjes së tij. U prehtë në paqe!”, u shpreh ambasadorja amerikane.

/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.